Nga kjo ndërmarrje thonë se grumbullimi bëhet pavarësisht këtyre problemeve, por kjo nuk mjafton që tetovarët të jenë të kënaqur me punën, ngase shpeshherë kontejnerët i hasin përplot me mbeturina
Urim HASIPI
Tetovë, 7 nëntor – Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, të cilët drejtpërdrejt ndikojnë në mirëmbajtjen e pastërtisë dhe higjienës në qytetin e Tetovës. Ndonëse deponia që ndodhej në hyrje të Tetovës ishte një bombë ekologjike dhe e njëjta u largua pas një presioni të madh të qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
Më pas, si alternativë u vendos Stacioni për grumbullim në rrugën për në fshatin Trebosh. Por, edhe ky stacion shpeshherë është në defekt. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejt ndikon në grumbullimin e mbeturinave edhe nga pikat në qytet dhe në hapësirën e këtij stacioni krijohet deponi. Ndonëse bëhet fjalë për një stacion të ri, megjithatë defektet janë të shpeshta.
“Problemet e defekteve të stacionit për ngarkim-shkarkimin e mbeturinave janë të ndryshme dhe si pasoje e hedhjes edhe të materialeve ndërtimore nëpër kontejnerë dhe metale, si dhe futja e tyre në makinerinë e stacionit për ngarkim-shkarkim. E dyta, një ndër vonesat në rregullimin e këtij stacioni është edhe ajo që pajisjet për stacionin e ngarkim-shkarkimit sillen nga Kroacia dhe kjo merr shumë kohë. E treta, grumbullimi i mbeturinave nëpër qytet duhet pasur parasysh edhe faktin që në qytet grumbullohen rreth 250 ton mbeturina, të cilat grumbullohen në stacionin e ngarkim-shkarkimit dhe kur ky stacionin nuk punon, mund ta merrni me mend se sa mbeturina grumbullohen atje”, thotë kreu i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka. Sipas tij, pavarësisht kësaj, edhe kur stacioni i ngarkim-shkarkimit nuk ka punuar, megjithatë janë bartur mbeturina me kamionë në Drislla të Shkupit.
“Normal që transporti poashtu merr shumë kohë për arsye se në total janë rreth 5 orë shkuarje dhe ardhje nga atje. Fatmirësisht, në këtë moment stacioni i ngarkim-shkarkimit është aktiv, punon dhe njëkohësisht mbeturinat barten edhe me kamiona dhe shpresoj që për një kohë të shkurtër, do të pastrohen të gjitha mbeturinat në atë deponi që është krijuar atje e që janë mbeturina ditore të cilat mblidhen nëpër qytet”, deklaroi Ceka.
Para një viti ishte paralajmëruar se do të ndërtohet një stacion tjetër ku do të hidhen materialet e forta, në ndërkohë do të kishte edhe funksionin e selektimit të mbeturinave. Por përveç lokacionit, punët nuk kanë lëvizur nga pika zero. Nga NPK shpresojnë se deri në fund të këtij viti do të fillojnë punimet duke shpresuar në mjete nga fondet evropiane dhe të qeverisë.
“Për momentin, ai stacion i ngarkim-shkarkimit nuk i plotëson kriteret për selektim të mbeturinave, pasi selektimi i mbeturinave është një proces krejtësisht tjetër, sepse duhet të vendoset trasa me të cilat ne kemi treguar që e kemi në plan ta ndërtojmë në Falishtë. Tenderi është gati nga Komuna e Tetovës, shpresojmë që do të fillojë ky proces që sigurisht se do ti ndihmojë shumë selektimit të mbeturinave për shkak se do të arrijmë të largojmë edhe materialet e forta”, deklaroi drejtori Ceka. Pikërisht defektet ë njëpasnjëshme në stacionin e grumbullimit të mbeturinave dhe mos ndërtimi i stacionit tjetër për selektim të mbeturinave ka bërë që ndërmarrja të jetë e atakuar shpeshherë për mos grumbullimin në kohë të mbeturinave nga kontejnerët. Nga kjo ndërmarrje thonë se grumbullimi bëhet pavarësisht këtyre problemeve, por kjo nuk mjafton që tetovarët të jenë të kënaqur me punën ngase shpeshherë kontejnerët i hasin përplot me mbeturina. (koha.mk)