Urim HASIPI
Tetovë, 16 nëntor – Shumë pushtete lokale kanë ardhur e kanë shkuar, por gjendja në Lagjen Lenini nuk ka ndryshuar. Ajo qe lënë jashtë agjendave të investimeve, ndonëse ndodhet afër qendrës së qytetit të Tetovës. Me rrugë të ngushta, të dëmtuara, me gropa, pa trotuare dhe infrastrukturë, Lagjja Lenin është në gjendje të mjerueshme. Herën e fundit që është asfaltuar rruga në këtë lagje tetovare, është diku në vitin 2000 dhe që atëherë e këndej nuk është asfaltuar. Në fakt, para disa viteve u punua në kanalizim, por më pas rruga nuk u rregullua as sot e kësaj dite. “Kjo lagje është lënë në këtë gjendje për arsye se komuna fare nuk interesohet.
Kjo rrugë me vite është kështu, gropa-gropa, lumi i ndotur. Njëherë filluan që të ndërtojnë diçka në këtë pjesë dhe e lanë kështu si është. A nuk është turp përpara spitalit ku lloj-lloj europiani vjen, lloj-lloj mjekësh vijnë dhe ja se çfarë mund të shohin. Kjo është afërisht 30 vite në këtë gjendje”, thotë plaku Isak Imeri, banorë i kësaj lagje tetovare. Edhe një banorë tjetër me emrin Shaban, nga kjo lagje, ankohet për infrastrukturën.“Kanalizimi sa funksionon, sa nuk funksionon. Mali Sharr është afër, kurse ne nuk kemi ujë të ngelemi pa ujë”, thotë Shaban Musliu, banorë i kësaj lagje. Në ndërkohë, kjo lagje në dokumentet zyrtare të shtetit akoma mban emrin Lenin, diktatorit rus, që nuk ka asnjë ndërlidhje me banorët e kësaj lagjeje që janë 90 për qind shqiptarë. Në dokumentet e institucioneve qendrore, rruga mban emrin Lenin, kurse në dokumentet e Komunës mban emrin Sami Frashëri. “Dikush nuk do që lagjet shqiptare të emërtohen në gjuhën shqipe, nuk e duan gjuhën shqipe, nuk duan të flitet gjuha shqipe. Krejt faturat na vijnë në gjuhën maqedonase. Kanë ngelë emërtimet e lagjeve me emrat e komunizmit të vjetër”, thotë Isak Imeri. Po ashtu në këtë lagje problem është periudha e dimrit, kur edhe bora nuk largohet nga rruga për shkak se nuk mund të depërtojnë kamionët për të pastruar të njëjtën. Kjo lagje ka mbi 100 shtëpi, me mbi 500 banorë, ndërsa krahas problemeve infrastrukturore ndër vite po ashtu shpesh herë kanë edhe problem me ujin e pijshëm që mungon. Autoritetet e Komunës presin që pas rregullimit të Bulevardit Bllagoja Toska, të merren më shumë me këtë lagje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.