Shkup, 8 dhjetor – Në garën e sivjetshme për “Qytet kulture” nuk pritet të marrë pjesë asnjë komunë shqiptare, raporton gazeta KOHA. Nëse vitet e kaluara shumë prej tyre nuk kanë arritur të hartojnë në kohë programin e detajuar festiv, këtë vit mungon interesimi. Konkursi mbyllet pas disa ditësh dhe deri tani nuk është aplikuar nga asnjë komunë. Tetova, për të cilën vazhdimisht është insistuar nga Ministria e Kulturës që të konkurrojë, si një prej qyteteve më të mëdha me popullsi shqiptare dhe për të gjetur një formë më komode për zhvillimin e aktiviteteve gjatë një viti, nuk do të bëhet pjesë e kësaj gare. Kështu thonë nga kjo komunë dhe arsyet lidhen me refuzimin që i është bërë një vit më parë, kur programi i prezantuar prej tyre nuk ka marrë miratimin e ministrisë. Konkursi organizohet çdo vit nga Ministria e Kulturës dhe në bazë të programit që dorëzohet nga çdo qytet shpallet “Qyteti i Kulturës”. Programi financohet nga ministria dhe ka si qëllim që të sigurojë kushtet për një zhvillim të barabartë kulturor, akses dhe shfrytëzim masiv të vlerave kulturore për të gjithë qytetarët, por edhe për të nxitur jetën kulturore në nivel lokal. Ky konkurs synon edhe demetropolizimin e kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë më të rralla. Ky është viti i 14-të me radhë që zhvillohet ky konkurs dhe deri tani asnjë komunë nga ato shqiptare nuk është përzgjedhur si qytet kulture. Ndërsa ka nga ato komuna maqedonase të cilat shpallen edhe për herë të dytë, apo të tretë “Qytet Kulture”. Të rregullt në konkurrim janë qytete si Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva. Ndërsa qyteti që e mban këtë titull aktualisht është Dojrani… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.