Urim HASIPI
Tetovë, 24 nëntor – Në Tetovë ende nuk është vënë në funksion Ndërmarrja Publike për Transport Publik. E njëjta është themeluar para tre vitesh, por ekziston vetëm në letër. Komuna e Tetovës vite me radhë ka kërkuar nga Ministria e Transportit autobusë (tetë) t’i ndahen për të konkretizuar në vepër ndërmarrjen publike për transport, shkruan gazeta KOHA.
Nga pushteti lokal në Tetovë thonë se vënia në funksion e transportit publik, do të ndikonte edhe në zvogëlimin e ndotjes si dhe përmirësimin e kaosit në komunikacionin e qytetit të Tetovës. “Në këtë drejtim, është mjaftë e arsyeshme që të kemi një shpërndarje proporcionale të mjeteve nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Sepse, me ndarjen e atyre autobusëve kontribuojmë edhe në kauzën tonë të përbashkët që kemi për ndotje sa më minimale të ajrit ambiental, por edhe të vihet në funksion transporti urban”, theksuan nga Komuna e Tetovës.
Komuna e Tetovës tashmë shqyrton variantet për zgjidhjen e problemit të transportit urban, problem ky i vjetër. Pasi që komuna është duke pritur përgjigje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për furnizimin me autobusë, pritet që të gjejë mënyra të tjera për të vënë në praktikë funksionimin e Ndërmarrjes Publike Transportuese. Një variant për organizimin e transportit urban, është që të lidhet kontratë me kompani private që do të organizojë transportin publik në Tetovë. Kjo vlen për qytetin, ndërsa jashtë qytetit për në vendbanimet tjera e njëjta do të bëhet në koordinim me komunat rurale. Ditë më parë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se do të gjejnë mënyra për ta funksionalizuar këtë ndërmarrje.
“Qytetarët e Komunës së Tetovës kanë pasur mundësinë që të binden se ne, gjërat që i themi, edhe i bëjmë. Kjo dëshmon më së miri me ndërmarrjen e parkingjeve, e cila u themelua dhe për më pak se një vit, në fakt u bë funksionale. Do gjejmë mënyra, nuk dëshiroj të prejudikoj se cilat do jenë mënyrat, por do të punojmë në drejtim të bërjes së këtij qyteti qytet”, deklaroi Arifi.
Nga ana tjetër, përderisa Komuna e Tetovës të zgjidh mungesën e transportit publik, transporti i vetëm për qytetarët dhe studentët vazhdojnë të jenë furgonët, të cilët më së tepërmi pengojnë në komunikacion dhe krijojnë tollovi, duke mos pasur vendin e tyre adekuat për t’u parkuar, se sa ndihmojnë qytetarët për transport. Përndryshe, gati se dhjetë vite qytetit të Tetovës i mungon transporti publik. Gjatë tërë kësaj kohe, pas falimentimit të ndërmarrjes auto-transportuese “Polet”, transporti publik është i pa organizuar dhe i njëjti zhvillohet me furgonë dhe disa kompani të tjera private. Përndryshe, përderisa në të gjitha qytetet e Maqedonisë ka mini stacione të tilla, në Tetovë nuk ka asnjë. Udhëtarët, sidomos nxënësit e shkollave të mesme, nuk kanë një vend të caktuar ku do të presin autobusin dhe automjetet e transportit. Ata qëndrojnë në kushte të vështira klimatike jashtë, në shi, në borë, por edhe gjatë verës, duke pritur automjetin transportues. Vende të këtilla ku qëndrojnë ato janë në dalje të Tetovës për në Shkup,përballë monopolit, në hyrje të Tetovës, afër marketit Vero, në qendër afër Qendërs për Kulturë, te Gjykata e Tetovës, te Xhamia e larme dhe vende të tjera, por në asnjërin prej këtyre vendeve nuk ka mini stacion të mbulua. (koha.mk)