Sipas të gjitha parashikimeve, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme do të pengojë edhe procedurat për punësime në ndërmarrjen për transport, respektivisht administratë dhe shoferë të autobusëve
Urim HASIPI
Tetovë, 20 shkurt – Komuna e Tetovës me gjasë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të fillojë të funksionalizojë transportin publik në qytetin e Tetovës. Edhe pse tashmë mjetet janë siguruar për blerjen e autobusëve, megjithatë pritet që të shpallet tenderi për furnizim me autobusë. Sipas drejtorit të ndërmarrjes Tetova Transport, Fejsal Behadini, të gjitha procedurat kanë përfunduar në kohë. “Sa i takon çështjes së transportit publik në qytetin tonë, Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka aplikuar deri tek Banka Botërore përmes programit MSIP2 për përmirësimin e shërbimeve komunale për furnizim me 5 autobusë të rinj dhe i njëjti është miratuar, nga ku janë ndarë 72 milion denarë. Theksojmë se projekti ka marrë dritë jeshile nga organet e Bankës Botërore dhe në këto momente Komuna e Tetovës bën përgatitjet finale për hapjen e shpalljes për furnizim”, tha drejtori i Ndërmarrjes Tetova –Transport, Fejsal Behadini.
Ai më tej është shprehur se edhe në ndërmarrje janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë të gatshëm që fillojnë konsolidimin e ndërmarrjes që të jetë edhe konkretisht funksionale. “Nga ana tjetër, pasi që këshilli komunal solli vendim për themelim të ndërmarrjes për transport publik “Tetova Transport”-Tetovë, ne si udhëheqësi e ndërmarrjes i kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për konsolidim dhe funskionalizim të ndërmarrjes, që nënkupton se janë miratuar aktet më të rëndësishme për nga vlera dhe rëndësia juridike, në mënyrë që e njëjta të jetë e gatshme për të realizuar veprimtarinë e transporti publik në qytetin tone”, theksoi Behadini.
Në pritje të autobusëve, tashmë janë caktuar edhe linjat, ndërsa fillimi do të jetë nga stacioni i autobusëve e deri tek rrethrrotullimi i UEJL-së. “Lokacionet e qëndrimeve të autobusëve në qytet do të jenë, bulevardi Iliria para objektit të Interprometit, në drejtim kah qendra, më pas do të jetë edhe stacioni para Qendrës për Kulturë. Stacion tjetër ndalimi do të jetë edhe stacioni para gjykatës së Tetovës dhe përpara Xhamisë së larme. Më pas në këtë bulevard stacion për udhëtarët do të ketë edhe tek udhëkryqi për në rrugën e Kodrës së Diellit, tek kompleksi Shipad, tek kthesa për në bulevardin “Bllagoja Toska”, tek udhëkryqi me bulevardin “Bllagoja Toska” dhe përpara Shkollës së Mesme të Bujqësisë”, sqaroi Beadini.
Por, sipas të gjitha parashikimeve, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme do të pengojë edhe procedurat për punësime në ndërmarrjen për transport, respektivisht administratë dhe shoferë të autobusëve. Komuna e Tetovës në specifikacinin e saj ka kërkuar furnizim me gjashtë autobusë me nga 50 ulëse dhe me sistem ekologjik ultramodern. Nga ana tjetër, shoqatat joqeveritare thonë se janë të lodhur me premtimet e dhëna dhe kërkojnë që sa më shpejtë të zgjidhet ky problem. Aktivizimi i autobusëve do të ulte pjesëmarrjen e rreth 30 për qind të veturave në rrugët e Tetovës. Nëse kemi parasysh se me autobus do të udhëtonin prej 30 deri në 40 persona, atëherë faktikisht këta persona nuk do të dilnin me makinat e tyre. Premtimi ka qenë që në mandatin e parë do të inkurajohen qytetarët që më shumë të përdorin transportin publik, por nuk ka asgjë konkrete”, thonë nga Lëvizja Eco Guerilla, e cila një kohë të gjatë kërkon zgjidhjen e këtij problemi. (koha.mk)