Urim HASIPI
Tetovë, 14 shkurt – Shumë rrugë kryesore dhe sekondare në qytetin e Tetovës janë të dëmtuara. Ngricat gjatë muajit janar kanë bërë që rrugët, gjegjësisht asfalti të mos mund të mbijetojë nga temperaturat e ulëta. Me kritike është në dalje të qytetit për në fshatrat e Komunës së Tearcës, gjegjësisht afër Stadiumit dhe Kazermës, rrugë kjo që lidhet me rrugën regjionalen Tetovë-Jazhincë. Por, nuk është vetëm kjo rrugë e dëmtuar, sepse situata nuk është më e mirë as në rrugën nga Shkolla e Muzikës e deri tek Stadiumi i qytetit, arterie kjo shumë e rëndësishme në qytetin e Tetovës, që ndryshme njihet si rruga Ivo Llolla Ribar.
Kjo rrugë për shkak të punimeve në kanalizim, është në gjendje të rëndë që nga vjeshta e vitit të kaluar, kurse paralajmërimet kanë qenë se në pranverën e hershme do të fillojë asfaltimi. Në këtë rrugë nuk kalojnë vetëm banorët e Tetovës, por e njëjta çon drejt vendkalimit kufitarë me Kosovën në fshatin Jazhincë, që e bën edhe më shumë të frekuentuar. Banorët dhe kalimtarët thonë se gjendja e rrugës është bërë e papërballueshme, ndërsa kanë pësuar edhe shumë dëmtime në veturat e tyre gjatë qarkullimit të përditshëm. Qytetarët janë shprehur shumë të revoltuar me infrastrukturën rrugore në Tetovë, duke theksuar se autoritetet lokale shumë pak kanë bërë për mirëmbajtjen e të paktën atyre rrugëve që kanë qenë në gjendje të mirë.
”Gjendja e rrugëve është katastrofale, ka katër apo pesë muaj që lëvizin në këtë rrugë dhe kemi shumë probleme, na dëmtohen automjetet. Është punuar dhe nuk është asfaltuar, dhe ne duhet që të lëvizim me shumë kujdes, kurse kjo krijon radhë të gjata të pritjes”, thotë Festimi, një taksist nga Tetova.
Nga Komuna e Tetovës, theksuan se Sektori për veprimtari komunale javën që kaloi ka bërë evidentimin dhe përgatitjen e raportit për sa i përket dëmtimeve të infrastrukturës rrugore në Komunën e Tetovës, që ishin si pasojë e dimrit të ftohtë dhe ngricave që kapluan vendin për më shumë se një muaj e gjysmë.
“Komuna e Tetovës menjëherë do të fillojë me procesin e rregullimit të përkohshëm të gropave me zhavorr dhe pllaka betoni, në rrugët kritike dhe prioritare, duke marrë parasysh se deri më 15 mars nuk mund të intervenohet me mirëmbajtjen dhe rregullimin e rrugëve me asfalt, kur dhe hapen bazat e asfaltit në vend”, deklaruan nga Shërbimi për Informim në Komunën e Tetovës.
Nga pushteti lokal në Tetovë nënvizojnë se gropat janë hapur në shumë rrugë për shkak të mirëmbajtjes dimërore, me ç’rast është hedhur krip dhe rërë. “Vlen të theksohet se vitin e kaluar, u mbyllën dhe u rregulluan pothuajse të gjitha gropat në rrugët e qytetit, por dimri i ftohtë dhe sasia e madhe kripës mekanike, me të cilën u trajtuan rrugët në qytet bëri që një pjesë e tyre të hapen sërish”, thonë nga Komuna e Tetovës. Infrastruktura rrugore vazhdon të jetë një pikë e dobët në qytetin e Tetovës, ku pothuajse çdo fillim-viti ka shumë rrugë të dëmtuara, madje ka edhe rrugë të cilët sapo janë asfaltuar janë dëmtuar shumë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.