Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës thekson se mjetet e ndara janë të njëjta me vitet e kaluara dhe janë të mjaftueshme. Po ashtu, edhe këtë vit rrugët janë ndarë në tri kategori sipas prioriteteve
Urim HASIPI
Tetovë, 3 dhjetor – Pasi që vitin e kaluar rajoni i Pollogut u përfshi nga moti i lig dhe me shumë borë për disa ditë me radhë, me ç`rast kishte edhe situatë të jashtëzakonshme në Tetovë dhe fshatrat e Malësisë, këtë vit autoritetet e Komunës së Tetovës theksojnë se janë të përgatitur që bora mos i kap në befasi. Nga Komuna e Tetovës, gjegjësisht sektori për rrugë njoftojnë se është parashikuar edhe numri i makinerisë për të intervenuar në raste të tilla. Ata theksojnë se tenderi është hapur, ndërsa janë ndarë 8 milionë denarë.
Rëra do të përdoret jashtë qytetit, nëpër vendet ku nuk ka kanalizim atmosferik, që e njëjta të mos hyjë në kanalizim, kurse në qytet do të përdoret vetëm kripë. “Procedura për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të merret me punët e sezonit dimëror tashmë është në vijim e sipër. Për këtë vit janë paraparë të shfrytëzohen diku 8 milionë denarë, mjete të cilat besojmë do jenë të mjaftueshme për mbulimin e gjithë territorit të Komunës, bashkë me fshatrat, ndërkohë që në dispozicion do të jetë edhe makineri e sofistikuar, përfshirë këtu kamion hidraulik me pjesën solare, eskavator dhe mjete tjera transportuese, ndërkohë që janë paraparë që të kemi në dispozicion edhe 100 metër kub rërë si dhe 350 ton kripë industriale”, njoftuan nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës.
Nga ky sektor theksojnë se mjetet e ndara janë të njëjta me vitet e kaluara dhe kanë mjaftuar. “Zakonisht, ndër vite këto kanë mjaftuar për të mos pasur problem nëpër qytet dhe nëpër fshatrat malore, ku atje situata bëhet ndonjëherë edhe më e vështirë për shkak të lokacionit, mirëpo urojmë që edhe këtë vit të kalojmë ashtu si është planifikuar. Vitin e kaluar kishim një situatë të pazakonshme, mirëpo sa i përket menaxhimit të punëve, ne jemi të kënaqur. Ne në këto situata parashikojmë numrin e makinerisë, e cila do të intervenojë në raste dhe kushte të jashtëzakonshme”, pohojnë nga ky sektor.
Po ashtu, si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit rrugët janë ndarë në tri kategori sipas prioriteteve. “Po ashtu janë përcaktuar edhe vendet ku do të vendoset rëra dhe kripa. Në drejtimin Shipkovicë-Bozovcë do të ketë tri vende apo tri pika, në drejtimin Tetovë-Vicë në dy vende dhe në drejtimin Xhepçisht-Gjermë një vend. Edhe në Kodrën e Diellit është përcaktuar një vend për furnizim. Ky furnizim bëhet që më lehtë të kemi gjatë dimrit që të mos vijnë automjetet deri në Tetovë të furnizohet dhe pastaj të shkojnë sërish në vendet malore për të hedhur të njëjtën. Në fillim do të pastrohen rrugët, e prioritetit të parë do të jenë shkollat, policia, spitali dhe institucionet tjera, kurse më pas janë edhe rrugët e prioritetit të dytë dhe të tretë” thonë nga Komuna e Tetovës. (koha.mk)