Rreth 1598, ose 35.5 për qind e numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të mbyllura janë nga Shkupi. Qyteti i dytë, në të cilin ka ndërmarrjet më të mbyllura në vend, është Tetova, dhe në vendin e tretë është Ohri. Nga OEMVP shpjegon se përkundër numrit prej 4503 kompanive që u shuan në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, gjatë vitit 2019 u mbyllën 5449 kompani
Evis HALILI
Shkup, 20 janar – Kompanitë e vogla, të cilat punësojnë deri në dhjetë persona, kryesisht në fushat e tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparimit të automjeteve motorike dhe akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimit ushqimor, janë më të shumtat në mesin e më shumë se katërmijë ndërmarrjeve për të cilat Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) raportoi më parë se në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar u mbyllën si rezultat i krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Rreth 1598, ose 35.5 për qind e numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të mbyllura janë nga Shkupi. Qyteti i dytë, në të cilin ka ndërmarrjet më të mbyllura në vend, është Tetova, dhe në vendin e tretë është Ohri, shkruan gazeta KOHA.
Nga OEMVP shpjegon se përkundër numrit prej 4503 kompanive që u shuan në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, gjatë vitit 2019 u mbyllën 5449 kompani. Nëse shihen të dhënat për vitin 2019, do të vërehet se edhe në atë vit shumica e kompanive të mbyllura janë nga aktiviteti i tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe riparim të automjeteve motorike. “Numri më i madh, përkatësisht rreth 80 për qind e ndërmarrjeve të mbyllura janë nga kategoria e mikro, gjegjësisht kompani që punësojnë deri në dhjetë persona. Shumica e ndërmarrjeve të mbyllura janë nga aktiviteti i tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve, që kanë arritur një numër prej mbi 1,500 ndërmarrjeve. Numri i dytë më i madh i ndërmarrjeve të mbyllura janë nga sektori HOREKA, dmth objektet për akomodimin dhe aktivitetet e shërbimit ushqimor, ku janë evidentuar gjithsej 568 kompani të mbyllura”, kanë theksuar nga OEMVP.
Në të njëjtën kohë, OEMVP thekson se duhet të kihet parasysh se në gjashtë muajt e parë të vitit, për shkak të pasigurisë në fillim të pandemisë dhe mbylljes së plotë të ekonomisë, dëmi ishte më i madh se në gjysmën e dytë të vitit 2020. “Ne si Odë jemi vazhdimisht në kontakt me institucionet, japim këshillat tona, por edhe udhëzime dhe rekomandime të ndryshme që duhet të bëhen për biznesin dhe ekonominë për të minimizuar dëmet e pësuara. Oda jonë i ka dërguar Qeverisë deri në 70 propozime-masa ekonomike deri në shpalljen e serisë së katërt të masave, dhe me propozimet që kemi njoftuar para disa ditëve, ky numër arrin në 77 masa, të cilat janë të orientuara në mënyrë specifike drejt krizës”, thonë nga OEMVP.
Përfaqësuesi i Biznes-Konfederatës së Maqedonisë shpjegon se për shkak të pandemisë ka një rritje të ndërmarrjeve të mbyllura, por përsëri thekson se numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të mbyllura nuk është rezultat i vetëm i Kovid-krizës. “Analizat tona tregojnë se numri i ndërmarrjeve të mbyllura është në një parametër të ngjashëm dhe ka një rritje në krahasim me vitet e mëparshme, por gjithsesi, nuk bëhet fjalë për një numër drastik më të madh të ndërmarrjeve të mbyllura. Duhet të kihet parasysh se vitet e fundit një numër i ngjashëm i kompanive hapen dhe mbyllen në vendin tonë në bazë vjetore. Megjithëse, ndikimi i pandemisë Covid-19 sigurisht që ka një pjesë në rritjen e numrit të kompanive të mbyllura, duhet të theksohet se numri i ndërmarrjeve të mbyllura është një reflektim i stilit të punës në botën tonë të biznesit. Në vendin tonë, shumë kompani i drejtohen evazionit fiskal, detyrimeve ndaj kreditorëve dhe duke mbyllur disa prej tyre, shkurtohet mundësia e mospërmbushjes së mëtejshme të detyrimeve. Ne besojmë se kovid-kriza nuk është arsyeja e vetme për mbylljen e kompanive. Kemi kompani që e kanë të vështirë të punojnë, të cilat janë goditur rëndë nga kriza, por vazhdimisht po luftojnë për të mbijetuar, për të kërkuar ndihmë, kredi… Ata nuk duan të mbyllen dhe duan të punojnë, të mbajnë biznesin si vite më parë. Por ka kompani që po heqin dorë dhe po mbyllen jo vetëm për shkak të krizës”, thekson Boshkov.
Ai shpjegon se edhe të dhënat e tyre tregojnë se shumica e kompanive të mbyllura janë kompani të vogla, pra kompani me një numër të vogël të të punësuarve, ndërsa ndërmarrjet e mëdha gjejnë mënyra për të mbijetuar dhe shton se shumë kompani që mbyllen janë kompani të reja, por ndër të mbyllurat ka kompani që kanë punuar për vite. “Institucionet kompetente me një analizë gjithëpërfshirëse mund të bëjnë masat e duhura, duke analizuar kostot e ndërmarrjeve mund të shohin se cilat ndërmarrje kanë humbje dhe sa janë ato, dhe pastaj me masat e duhura do të ndihmonin mbijetesën e tyre në këtë periudhë. Mund të bëhet me grante, siç kishte për kompanitë në sektorin e turizmit, por ato duhet të synohen mirë në mënyrë që kompanitë të mbijetojnë”, shton Boshkov.
Maqedonia nuk është i vetmi vend ku ndërmarrjet po mbyllen si rezultat i krizës së koronës. Në fillim të pandemisë, me futjen e masave kufizuese për të luftuar përhapjen e virusit, u njoftua se 300 restorante të zinxhirit “Pizza Hut” u mbyllën, pasuar nga mbyllja e franshizave të tjera të njohura ose disa prej dyqaneve dhe restoranteve të tyre. (koha.mk)