Tetova dhe Prizreni do të lidhen me tunel

606

Prizren/Tetovë, 18 qershor – Duket, se ka hapa konkret drejt realizimit të projektit të autostradës që do të lidhë Prizrenin dhe Tetovën.

Kjo kuptohet nga një shkrim i zëvendësministrit të Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Hysen Durmishi i cili duke shpërndarë një fotografi në profilin e tij në Facebook, shkruan:

“Kodra mbrapa meje do të depërtohet me tunel. Prizreni e Tetova po bashkohen”, transmeton TV21.

Ai gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Prizren, ku siç thotë, kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka njoftuar “për përparimet në këtë projekt”.

Ky projekt ishte premtim i Qeverisë Kurti, ndërkaq, gatishmëri kanë shprehur edhe funksionarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në fillim të këtij muaji, Ejup Rrustemin, drejtor në Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë” se çka konkretisht u bisedua në takimin që zhvilloi me homologun e tij në Kosovë për rrugën e shumëpremtuar Tetovë-Prizren.

Ai tha, se fillimisht duhet të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi e pastaj të fillojnë procedurat.

“Rruga Tetovë-Prizren është në programin e Qeverisë. Para se gjithash duhet të kemi memorandum për bashkëpunim mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë. Presim që të nënshkruhet memorandumi mes këtyre dy vendeve dhe pastaj të ndajmë pikët e përbashkët që më vonë të fillojmë me projektin fillestar dhe ideor”, tha Rrustemi më 4 qershor 2021.