Gjatë ditës së mërkurë, 3 pacientë janë lëshuar në shtëpi pasi që testimet që u janë bërë, kanë treguar se ata janë shëruar. Ndërkaq, në repartin infektiv mbeten për tu trajtuar edhe 11 pacientë, por që të gjithë janë në gjendje stabile
Urim HASIPI
Tetovë, 4 korrik – Në afërsi të repartit infektiv pranë spitalit të përgjithshëm të Gostivarit është montuar një tendë që do ta luajë rolin e një ambulance. Pas kontrollit nga mjekët specialist, aty do të bëhet pranimi i pacientëve me prioritet dhe prej aty do të bëhet shpërndarja nëpër reparte në bazë të nevojës. Selektimi i pacientëve do të bëhet për të detektuar personat që kanë simptoma të virusit Covid 19. E gjithë kjo bëhet për të mbrojtur personelin shëndetësorë dhe pacientët tjerë në rast se vjen në shprehje rritja e numrit të të infektuarve. Kështu deklaroi udhëheqësi i Repartit të infektologjisë në kuadër të spitalit të Gostivarit, mjeku Ratko Naumovski. Ai shprehet se në këtë tendë nuk ka shtretër dhe nuk do të qëndrojnë pacientë, por njëkohësisht apelon që mjekët amë të mos dërgojnë pacientë pa nevojë.
“Kjo tendë është vendosur këtu që të bëhet selektimi i pacientëve para se të vijnë në repartin infektiv. Dikush mendon se do të ketë shtretër dhe këtu do të trajtohen pacientët, por jo. Pra çdo pacient që do të dërgohet tek ne nga mjeku amë, do të kontrollohet këtu nga mjeku specialist, dhe sipas rezultateve, atij do t’i jepet një orientim i sigurt se është për tek ne apo për në reparte të tjera. Në rast se e dërgojnë tek ne dhe dyshohet për Covid, ne e bindim pacientin se duhet t’i bëhet test dhe të priten rezultatet e testimit në një dhomë që e kemi për rastet e dyshimta. Kjo është një lloj parapërgatitje nëse përballemi me numër në rritje të pacientëve, për të mbrojtur personelin shëndetësor por edhe vetë pacientët” thotë mjeku Naumovski.
Gjatë ditës së mërkurë, 3 pacientë janë lëshuar në shtëpi pasi që testimet që u janë bërë, kanë treguar se ata janë shëruar. Ndërkaq, në repartin infektiv mbeten për tu trajtuar edhe 11 pacientë, por që të gjithë janë në gjendje stabile. “Momentalisht në repartin tonë kemi vetëm 11 pacientë, sepse i lëshuam tre që ishin shëruar plotësisht. Që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, vetëm në një rast kemi simptoma pak më të theksuar. Unë shfrytëzoj rastin që të apeloj tek qytetarët që gjithë secili të kujdeset për shëndetin personal, të mbajnë maska, higjienë personale dhe distancë sepse vetëm kështu mund ta parandalojmë përhapjen e virusit”, shprehet mjeku Naumovski.
Tenda në fjalë është vendosur nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim në Gostivar, me kërkesë të Spitalit të Gostivarit. Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, në Komunën e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Mavrovë-Rostushë, numri i personave të infektuar me Covid 19 ka arritur deri më 122, ndërsa raste aktive për momentin mbeten 66. Numri më i madh i tyre janë asimptomatik dhe po trajtohen në kushte shtëpiake, ndërsa në repartin infektiv janë vetëm 11 pacientë. Vetëm gjatë javës që e lamë pas, deri më 30 arrin numri i të infektuarve në këtë rajon, prandaj udhëheqësia e spitalit ka bërë planin e një riorganizimi, për të qenë të gatshëm në rast të paraqitjes së ndonjë fluksi më të madh. (koha.mk)