Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori” Tetovë është themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në vitin 1996 për profilin arsimor Teknik i ekonomisë. Për profesorët, kjo është një ditë e veçantë, ngase ata kanë arritur që brenda 23 vitesh të edukojnë shumë gjenerata
Urim HASIPI
Tetovë, 10 shtator – 23 vite më parë, në Tetovë u hap Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori”. Në atë kohë, shkolla filloi me numër shumë të vogël të stafit akademik dhe numër të vogël të nxënësve. Por sot, kjo shkollë ka një staf prej 120 të punësuarve dhe mbi 1000 nxënës që vijojnë mësimin, shkruan gazeta KOHA. Pikërisht, në këtë 23 vjetor, drejtoria e shkollës ka dhënë mirënjohje për profesorët që tashmë mbi 20 vite punojnë në këtë shkollë, dhe kanë kontribuar që shkolla të ngrihet edhe në aspektin cilësor, por edhe të ketë numër të madh të nxënësve që janë pranuar në vit të parë. “Festa e shkollës sonë është 8 Shtatori, dhe sot kishim rastin që të falënderojmë themeluesit pa të cilët ndoshta nuk do kishim mund të arrijmë deri te dita ku jemi sot. Shkolla ka filluar me tre paralele nga secila gjeneratë, ndërsa sot kemi 13, edhe atë 10 shqiptarë dhe 3 maqedonase, dhe numërojmë mbi 1050 nxënës. Kolektivi prej 20 apo 30 të punësuar ka arritur në 120, ndërsa numri i nxënësve prej në 300 ka arritur në 1010 që do të thotë se jemi rrit disa herë nga ajo që kemi filluar”, tha Mirjeta Iljazi, drejtoreshë.
Për profesorët kjo është një ditë e veçantë ngase ata kanë arritur që brenda 23 vitesh të edukojnë shumë gjenerata. Faik Ademi thotë se mirënjohja është motiv për punë të mëtejshme.“Në këtë shkollë jam nga viti 1998, gati 21 vjet, është një nder dhe një respekt nga drejtoria e shkollës për kontributin që kemi dhënë në këtë 20 vjeçarë në ngritjen e procesit edukativo – arsimor. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të ketë shpërblime të kësaj natyre dhe është një motiv për çdo punëtorë të arsimit”, shprehet ai.
Profesoresha Sulbie Memeti, po ashtu është krenare që ka arritur për 23 vite të edukojë nxënës në këtë shkollë të mesme. “Dua të them se sot ndjehem krenare që jam pjesë e këtij kolektivi, me ç’rast vlerësohen të gjithë kolegët e mi, dhe ky është një falënderim i veçantë se na kanë nderuar neve, se fundi fundit ne e kemi pasur obligim moral, dhe ky do të jetë një vlerësim jo shpërblim, jo vetëm për ne, por për të gjithë koleget e mi”, the Sulbie Memeti, profesoreshë.
Në ndërkohë, në këtë eveniment ishte edhe Udhëheqësi i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, Ahmet Qazimi. Ai u shpreh se profesorët duhet që të punojnë më shumë në edukimin e nxënësve, për të pasur një arsim cilësor. “Në periudhën paraprake, u bë shumë për investimet në shkollat e mesme në Tetovë, dhe një ndër ato ishte edhe Shkolla Ekonomike. Infrastruktura dhe investimet mund të bëhen çdo herë kur ke mjete, ajo që duhet të përkushtohemi më shume është investime në faktorin njeri, përkujdesja e faktorit njeri, motivimi i procesit dhe i mësimdhënësve dhe në këtë drejtim dua të përgëzoj dhe stafin drejtues të shkollës së mesme ekonomike që përmes një dhurate i uruan një vit jubilar mbi 20 vite dhe kjo duhet të jetë një praktikë edhe më tutje qe të motivohet stafi që të japin maksimumin e tyre në procesin e mësimdhënies dhe mesimnxënies. Ajo qe duhet të veçohet në këtë vit në shkollën ekonomike është që nga punët që u realizuan në këtë shkollë gjatë viteve paraprake, është rritur numri i nxënësve dhe është 300 numri i nxënësve që në vitin e parë e kanë zgjedhur këtë shkollë për tu regjistruar”, tha Qazimi.
Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori” Tetovë është themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në vitin 1996 për profilin arsimor Teknik i ekonomisë. (koha.mk)