Nëse në të kaluarën tejkalimi i kontestit me Greqinë rreth emrit kishte edhe impakt gjeopolitik e gjeostrategjik, tani shtrohet pyetja se çfarë impakti do të ketë zvarritja e procesit euroingerues?
Nga Emin AZEMI
Fati i popujve të vegjël të Ballkanit, si në fillim të shekullit të kaluar, vazhdon të zvarritet kancelarive të Europës. Ditëve të fundit ka pasur një debat aktiv rreth fatit të mëtejshëm të procesit eurointegrues të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë etj., kurse jo pak qeveri, si ajo në Berlin, Amsterdam e gjetiu, kanë shprehur rezervat e tyre të hapura ndaj këtij procesi.
Dy ditë më parë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qenë e qartë ndaj kërkesës së Komisionit Europian për caktim të shpejtë të datës së bisedimeve me BE-në. Mediat gjermane këtij lajmi i kanë dhënë peshë të posaçme, duke ofruar sqarime shtesë se vendimi për caktimin e datës së bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për bashkëngjitje BE-së, mund të ndodhë jo më herët se në tetor të këtij viti.
Tema e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut ka nxitur debat të nxehtë edhe në seancën plenare të Bundestagut gjerman, që në fakt i kushtohej ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të RMV në NATO. Ndonëse deputetët gjerman me shumicë votash u deklaruan pro kësaj çështjeje, megjithatë, mospajtimet pastaj dolën sa i përket datës së bisedimeve me BE-në. Pati dyshimeve të hapura që u shprehën nga disa deputetë, sidomos nga radhët e opozitës, sipas të cilëve, “CDU dhe Angela Merkel qëllimisht po e shtyjnë caktimin e datës për Maqedoninë e Veriut derisa të vijë në pushtet Demokracia e Re në Greqi, e cila do ta bllokojë procesin eurointegrues të RMV”.
Asaj çka i druhen një pjesë e deputetëve gjerman dhe vëzhguesve të ndryshëm është frika se Maqedonia e Veriut do të lejohet të anëtarësohet vetëm në NATO, por jo edhe në BE, duke i trajtuar qytetarët e saj si “europianë të rangut të dytë”.
Si mund të lexohet ky qëndrim i fundit i Berlinit zyrtar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe a mund të ketë ndonjë efekt domino në zhvillimet e brendshme të këtushme politike, duke i hap udhë eventualisht zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë. Nëse ndodhë kjo, atëherë, sikundër dihet, 100 ditë para zgjedhjeve, qeverinë do ta udhëheqë një kryeministër teknik, kurse opozita të merr drejtimin e disa resorëve, siç janë MPB dhe ndonjë ministri tjetër.
Në anën tjetër, kryeministri Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk ka datë për bisedime, ai mund të ofrojë dorëheqje , gjegjësisht kthimin e mandatit tek presidenti Pendarovski, me çka do të mund të pasojë një procedurë e re e zgjedhjes së Qeverisë së re, nëse, Zaev arrin të mbajë të pacenuar shumicën parlamentare. Tetori gjerman si afat në të cilin është shtri njëfarë kufiri optimist për marrjen datës së bisedimeve me BE, nuk do të pritet me aq komoditet në këtë verë të nxehtë politike të këtushme. Sido që të zhvillohen ngjarjet, një paqartësi që e bën dilemën më të mundimshme, është qëndrimi i Berlinit zyrtar për të zvarritur procesin eurintegrues të vendit. Nëse në të kaluarën tejkalimi i kontestit me Greqinë rreth emrit kishte edhe impakt gjeopolitik e gjeostrategjik, tani shtrohet pyetja se çfarë impakti do të ketë zvarritja e procesit euroingerues. Apo ndoshta buldozerëve të mëdhenj të politikës evropiane nuk iu interesojnë edhe një kohë të caktuar stabilizimet e brendshme politike në shtete e Ballkanit Perëndimor. (koha.mk)