Shkup, 13 gusht – Para tetëmbëdhjetë viteve në ditën e sotme u nënshkrua Marrëveshje e Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001.
Negociatat filluan në Shkup, e pastaj vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë më 13 gusht të vitit 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno të Shkupit, Marrëveshjen kornizë e nënshkruan presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryetari i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski dhe liderët e atëhershëm të PDSH-së, Arbën Xhaferi, PPD-së Imer Imeri dhe i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
Nënshkrime të tyre në marrëveshje vendosën edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
Më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime të ligjeve janë miratuar viteve të kaluara nga implementimi Marrëveshjes së Ohrit, prej të cilave pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskrimimin dhe përfaqësimin e drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.
Për implementim të suksesshëm të marrëveshje, është formuar Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si pjesë e Qeverisë.
Me rastin e 18-të vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, Sadulla Duraki sonte do të organizojë solemnitet në Klubin e deputetëve në Shkup.