Për ndërtimin e këtij bulevardi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar kishte ndarë mjete në vlerë prej rreth 29 milionë denarëve
Urim HASIPI
Tetovë, 10 prill – Komuna e Tetovës ende nuk ka filluar me punët rreth hapjes së bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska”. Vit pas viti hapja e këtij bulevardi është premtuar, dhe tashmë hyjmë në vitin e tetë që kur është premtuar nga struktura aktuale udhëheqëse në Komunën e Tetovës, por punët ende nuk kanë filluar. Deri më tani, sipas informacioneve zyrtare të Komunës së Tetovës, është arritur marrëveshje me 15 pronarë të shtëpive dhe të bëhet pagesa, por janë dy palë që nuk mund të merren vesh mes tyre për të tejkaluar ngërçin rreth këtij projekti të shumëpritur për qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se tashmë edhe pagesat ndaj kompensimit të pronës së shumicës së pronarëve janë kryer, kurse vetëm dy pronarë nuk kanë arritur zgjidhje mes veti prandaj edhe nuk mund të fillohet me punët.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, thotë se komisioni i formuar enkas për këtë problematikë ka dalë në teren dhe tenton që të arrijë një marrëveshje edhe me këto dy palë. “Tani ne si komision kemi dalë në teren, e kemi verifikuar ku qëndron problemi dhe mundohemi të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë, me qëllim që edhe aty të fillohen punët. Sa i përket pagesave nuk ka asnjë problem, sepse Qeveria i ka lëshuar mjetet sa i përket kompensimit dhe pjesa tjetër aq sa dimë ne, dy familje kanë probleme mes veti dhe ne si komision i formuar nga këshilli tentojmë që të zbusim qëndrimet e tyre dhe t’i gjejmë një zgjidhje. Nëse ata nuk do të merren vesh, atëherë do t`i drejtohemi gjyqit i cili në fund do të merr vendim”, thotë kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Komuna e Tetovës kohë më parë ka formuar edhe një komision lidhur me këtë problem, ku bëjnë pjesë koordinatorët e grupeve të këshilltarëve nga të gjithë partitë pjesë e Këshillit të komunës. Ky këshill ka dalë në teren dhe ka konstatuar se nga 17 shtëpi të cilat duhet të rrënohen, pjesa dërmuese e tyre i ka marrë paratë, kurse vetëm dy palë kanë problem mes veti dhe prandaj nuk mund të fillohet me punë. Për ndërtimin e këtij bulevardi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar kishte ndarë mjete në vlerë prej rreth 29 milion denarëve. Hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” është një nga kërkesat kryesore të banorëve të Tetovës për shkak të rritjes së frekuentimit të automjeteve në bulevardet tjera dhe ndërtimi i tij do të krijonte mundësi që të lehtësohej komunikacioni në shumë pjesë të qytetit të Tetovës. Sipas informacioneve nga tereni, për ndërtimin e këtij bulevardi është folur edhe në vitet e 90-ta, por prej atëherë e këndej nuk është bërë asgjë konkrete. Dhe përderisa zgjasin kontestet mes palëve, pjesa poshtë Spitalit klinik të Tetovës ku duhet të kalojë bulevardi është shndërruar në parking veturash dhe aty gjithnjë mbizotëron një kaos i vërtetë. (koha.mk)