Omer XHAFERI
Shkup, 7 prill – Ndezja e kashtës dhe bimëve të ndryshme me qëllim pastrimin e arave dhe hapësirave tjera gjelbëruese janë të dënueshme sipas Ligjit për tokë bujqësore. Nga 6 deri në 8 mijë euro në këtë Ligj parashihet gjobë për personat juridik, ndërsa për personat privat dënimet janë prej 1 mijë deri në 3 mijë euro, shkruan gazeta KOHA. Ndërkaq, vënia e zjarrit në fusha, pyje dhe livadhe, ashtu siç është praktikë e shumë bujqve apo edhe e piromanëve, përndiqet penalisht në bazë të Kodit. “Ai i cili do të shkakton zjarr në pyje, si pasojë e të cilit do të shkaktohet dëm i përmasave të mëdha, do të dënohet me heqje lirie prej më së paku tetë viteve burg. Ky dënim mund t’i shqiptohet edhe atij personi i cili do të shkakton zjarr në një pyll të mbrojtur, park nacional ose mal tjetër specifik”, thuhet në Kodin Penal të Maqedonisë. Dënimin prej minimum dhjetëve viteve heqje lire dispozitat penale të legjislacionit vendas parashohin edhe për atë njeri i cili është shkaktar i përhapjes së dy apo më tepër zjarreve. Ndërkaq, dënime nga tre deri persë vite burg parashihen edhe për personat që shkaktojnë zjarre nga pakujdesia. Personat përgjegjës për shuarjen e zjarreve, në këtë rast zjarrfikësit, kur flasin për zjarret që ndodhin në vendet e hapura, kryesisht thonë se ato shkaktohen nga faktori njeri, mirëpo sipas tyre, jo çdo herë këto zjarre bëhen me qëllim. Duke i sqaruar arsyet e përhapjes së zjarreve, nga Njësia për mbrojtje nga zjarret-Shkup, thonë se motivi më i shpeshtë i përhapjes së zjarreve nëpër pyje bëhet me qëllim të mbulimit të gjurmëve nga prerja e druve apo përgatitjes së terrenit për kullotjen e bagëtive. Në MPB nuk kanë të dhëna të gatshme rreth hetimeve ose për personat ndaj të cilëve janë proceduar padi për shkaktimin e zjarreve, duke kërkuar më shumë kohë dhe kërkesa të parashtrohet me shkrim. Ndërkohë edhe pse temperaturat e ngrohta ende nuk kanë arritur kulminacionin, Maqedonia gjatë javës së kaluar ishte përfshirë nga zjarre të shumta. Rasti i fundit ndodhi të mërkurën në Dibër dhe rrethinës. Përpos zjarreve që u shkaktuan në Strumicë, Manastir, Likovë, ekipet e zjarrfikësve me shumë mundime gjatë ditës së mërkurë arritën ta lokalizojnë zjarrin e shkaktuar në rrethinë e Shkupit, respektivisht flakët në afërsi të fshatit Lubeten dhe Brezë. Ndryshe, sipas evidencës së Qendrës për menaxhim me kriza, vitin e kaluar në këtë periudhë, gjegjësisht në muajin prill të 2016, ekipet e tyre kanë regjistruar 38 zjarre, prej të cilëve 20 kanë ndodhur në hapësirë malore dhe 18 tjera në vende të hapura.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara