Megjithëse ka rënie të numrit të aksidenteve për 11 muajt e parë të këtij viti, numri i viktimave ka shënuar rritje. Tetë viktima kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve të trafikut, ndërsa nga 1 janari e deri më 30 nëntor, në zonën që mbulon Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë, kanë ndodhur gjithsej 610 aksidente trafiku
Urim HASIPI
Tetovë, 7 dhjetor – Në rajonin e Tetovës, edhe pse numri i aksidenteve të trafikut është ulur për 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, megjithatë është rritur numri i viktimave. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se në rajonin e Tetovës gjithsej për 11 muaj janë regjistruar 200 aksidente më pak krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. “Gjatë 11 muajve të këtij viti, konkretisht nga 1 janari e deri më 30 nëntor, në zonën që mbulon Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë, kanë ndodhur 610 aksidente trafiku, ndërkohë që në vitin 2021, kishin ndodhur mbi 800 aksidente rrugore. Këtë vit vërejmë rënie të numrit të aksidenteve prej 20 për qind”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Por, krahasuar me vitin e kaluar, është rritur numri i viktimave të trafikut. Shumica e viktimave, siç tregon Rexhepi, janë këmbësorë.
“Nga numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur këtë vit, 52 kanë qenë me lëndime të rënda trupore, 288 me lëndime të lehta trupore, ndërsa 368 aksidente komunikacioni kanë qenë vetëm me dëme materiale, ndërsa kemi regjistruar rritje të aksidenteve në komunikacion me fatalitet, përkatësisht 8 aksidente me viktima, prej të cilëve 6 ishin këmbësorë, krahasuar me vitin e kaluar 2021 kur kishte të regjistruara 4 viktima nga aksidentet e trafikut”, njofton zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit, shkaku më i shpeshtë i aksidenteve në komunikacion është shpejtësia, parakalimet e parregullta dhe të paligjshme, si dhe në aksidentet me këmbësorë të lënduar, si shkaqe janë regjistruar mosdhënie përparësi kalimi ndaj këmbësorit, kalimi i rrugës jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë dhe të tjera.
Nga policia e Tetovës kërkojnë që drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat komunikacionit. “Përkundër uljes së aksidenteve në komunikacion, SPB Tetovë sërish apelon tek drejtuesit e mjeteve të respektojnë shenjat e komunikacionit, rregullat dhe rregulloret që rregullojnë shpejtësinë e lëvizjes brenda dhe jashtë vendbanimit, si dhe të drejtën e përparësisë së kalimit parakalimin dhe mbajtjen e distancës. Duke vepruar kështu, ata do të kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut”, pohon zëdhënësi Rexhepi. Poashtu apelohet për më shumë kujdes gjatë periudhës që vjen, sidomos në rrugët për në Kodrën e Diellit, Strazhës dhe vendbanimet e malësisë së Tetovës. (koha.mk)