Dy persona janë lënduar rëndë, por nuk janë në rrezik për jetën ndërsa gjashtë persona janë lënduar më lehtë në aksidentin i cili ndodhi herët në mëngjes, në orën 6, në afërsi të qytetit Linz të Austrisë. Në fatkeqësi janë përplasur një autobus i Maqedonisë dhe një kamion transportues.
“Kolegët nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Vjenë përmes telefonit kanë kontaktuar me policinë në Vjenë, të cilët u kanë konfirmuar se në autobus kanë qenë 18 shtetas të Maqedonisë prej të cilëve dy persona janë lënduar më rëndë, por nuk janë në rrezik për jetën dhe gjashtë janë lënduar lehtë. Raport të plotë do të japin pasi të përfundojë ekspertiza”, kumtuan nga MPJ.
Mediat austriake informojnë se të lënduarit janë përkujdesur në spital, ndërsa është mbyllur edhe autostrada drejt Linzit.
Sipas mediave austriake, pas përplasjes kamionit, i cili ka qenë i ngarkuar me drurë, i është përmbysur kabina, ndërsa drejtuesi i saj ka ngelur i ngujuar. Shoferi i lënduar është transferuar me helikopter në spital.
Akoma nuk është e njohur se cila është agjencia me të cilën kanë udhëtuar shtetasit e Maqedonisë dhe cili është emri i transportuesit të autobusit.