Laura PAPRANIKU
Shkup, 27 mars – Mungesa e lektyrave në bibliotekat e shkollave fillore është alarmante. Edhe ato pak tituj të cilët gjenden nëpër raftet e librave, nuk mjaftojnë që arsimtarët të planifikojnë leximin e një lektyre të caktuar, pasi jo të gjithë nxënësit e një klase mund të vijnë te titulli i njëjtë i lektyrave, shkruan gazeta KOHA. Sipas arsimtarëve të gjuhës, nuk është problem vetëm mosinteresimi i nxënësve për lexim të librave letrarë, por një handikap të madh thonë se paraqet mos furnizimi i shkollave me tituj dhe numër të mjaftueshëm lektyrash. Ky problem është kthyer prej vitesh në një shqetësim të madh dhe që ndikon drejtpërdrejtë edhe në nivelin e dijeve të nxënësve.
Nxënësit nuk lexojnë lektyrat jo vetëm sepse nuk janë brenda shijeve të tyre artistike, por edhe sepse në shkollë nuk ka lektura. Për këtë realitet dëshpërues tregon Fitore Çirezi, arsimtare e lëndës së gjuhës shqipe në Shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup.
“Në gjithë gjeneratën vetëm tetë nxënës kishin lexuar lektyrën e muajit shkurt”, deklaron ajo, ndërsa thotë se arsye për këtë është mungesa e lektyrave në shkollë. “Jo që mungon interesimi i nxënësve, jo që nuk i angazhojmë ne arsimtarët, por mungojnë lektyrat në shkollë. Ky është i gjithë problemi”, pohon ajo, duke nënvizuar se kjo dëmton rëndë nivelin e njohurive që duhet të marrin nxënësit në lëndën e gjuhës shqipe. Që të lexojnë lektyrën vetëm tetë nxënës në gjithë gjeneratën, pra në katër paralele, kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për rolin që duhet të luajë shkolla në nxitjen e shprehisë për leximin e veprave artistike tek nxënësit.
“Nëse jo shkolla, kush tjetër duhet ta luajë këtë rol”, shprehet për KOHA, Çirezi. Sipas Programit mësimor që harton Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) çdo vit për shkollat fillore dhe të mesme,me nxënësit e kasave të gjashta, arsimtarët e gjuhës duhet të zhvillojnë secilin muaj orë letrare, pra të bëjnë analizën e një lektyre nga një autor i caktuar. Në muajin shkurt, sipas Programit ishte paraparë lektyra “Zemër” e Edmond De Amiçis. Por, meqë ky libër nuk ndodhet në bibliotekë ishte menduar që i njëjti të zëvendësohet me lektyrat “Zogu dhe kulla” të Rrahman Dedes dhe “Sarajet e bardha” të Vehbi Kikës. Mirëpo, edhe këta lektyra nuk ishin në numër të mjaftueshëm. Për këtë, nga rreth 120 nxënës të gjeneratës së klasave të gjashta në këtë shkollë, vetëm tetë nxënës kishin fatin të sigurojnë lekturat në bibliotekën e shkollës.
SHF “Hasan Prishtina”, është njëra prej tetë shkollave fillore të Komunës së Çairit dhe me të njëjtin problem ballafaqohen të gjitha shkollat pa përjashtim. Në shumë raste, kërkohen bibliotekat e qyteteve, respektivisht komunave si zgjidhje alternative. Mirëpo, edhe këta të fundit nuk janë në gjendje kushedi sa më të mirë se bibliotekat e shkollave. Furnizim i shkollave me lektyra dhe tekste mësimore, është padyshim obligim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Por, pavarësisht kësaj, gjendja në shkolla flet se MASH ka dështuar të bëjë punën si duhet edhe në këtë drejtim. Sot e kësaj dite, në Maqedoni jo që nuk është zgjidhur ende problemi me botimet e vjetruara prej kohës, pra nuk janë zëvendësuar ende lektyrat që nuk korrespondojnë me shijet dhe kërkesat e nxënësve të sotëm, por problemi është rënduar edhe më tepër me mungesën edhe të atyre titujve. Shkollat nuk posedojnë as lektyrat e planifikuara me programet mësimore. Mungojë deri librat e autorëve shqiptarë për fëmijë, si Vehbi Kikaj, Rrahman Dedaj, Odhise Grillo e kështu me radhë. Kjo, sepse shkollat nuk mbajnë mend kur janë furnizuar për herë të fundit me lektyra të lejuara nga MASH dhe BZHA. Ndërkaq, komunave u mungon iniciativa për të ndërmarrë diçka.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara