Shkup, 6 shkurt – Nga prilli deri në maj të këtij viti në 150 shkolla fillore do të realizohet testimi ndërkombëtar TIMSS (TIMSS – Trends in International Mathematics and Science Study) i cili do të përfshijë rreth 4000 nxënës, ndërsa pastaj do të vijojë raport i gjerë.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë thënë se nuk bëhet fjalë për zëvendësim të testimit ekstern, siç bënë të ditur disa media, e as që, rezultatet do të ndikojnë në suksesin përfundimtar të nxënësve. Thekson se Maqedonia disa vite është e përfshirë në testimin ndërkombëtar TIMSS, si dhe në PISA.
Shkollat janë zgjedhur sipas shortit sipas lokacionit (fshat/qytet) dhe gjuhës së mësimit (maqedonase/shqipe) dhe tashmë janë njoftuar për testimin. Nga secila shkollë sipas shortit janë zgjedhur paralelet të cilat do të përfshihen, me çka do të shfrytëzohet program special për këtë qëllim.
“TIMSS është studim ndërkombëtar për matematikë dhe për grupin e lëndëve natyrore (fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi) i cili i mat njohuritë dhe aftësitë e nxënësve nga lënda e matematikës dhe grupit të lëndëve natyrore (fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi) në klasën e IV dhe VIII. Republika e Maqedonisë deri më tani ka marrë pjesë në tri cikle: TIMSS 1999, TIMSS 2003 dhe TIMSS 2011 me nxënës të klasave të VIII. Për herë të parë vitin e kaluar në TIMSS 2019 u përfshimë që të marrim pjesë me nxënës të klasave të IV … Të gjitha vendet të cilat dëshirojnë dhe kanë interesim, thelbësor që ta kontrollojnë gatishmërinë dhe diturinë e nxënësve në bazë të parametrave dhe kritereve të pranuara ndërkombëtare, munden që në bazë vullnetare të përfshihen në njërin nga programet për testime ndërkombëtare, si për shembull PISA ose TIMSS në të cilat edhe shteti jonë merr pjesë. Rezultatet nga këto testime nuk kanë kurrfarë ndikimi ndaj suksesit final të nxënësve të cilët janë pjesë e tij”, thonë nga MASH për MIA-n, transmeton Koha.
Më përfshirjen në këtë studim ndërkombëtar, shton MASH, vendet marrin përgjigje për çështje të rëndësishme, në lidhje me atë se sa është niveli i arritjeve të nxënësve dhe ku është vendi i shtetit në suaza ndërkombëtare, cilat janë arritjet nga shtetet tjera, të cilat janë të rëndësishme për ne si informacion për atë se si realizohet procesi arsimor në vendet me rezultate të mira; si është procesi arsimor, përgatitja e arsimtarëve dhe zhvillimi i tyre profesional te ne dhe krahasimi me shtetet e tjera; si është organizimi institucional i punës edukative-arsimore të sistemeve arsimore të ndryshme nga i yni. (koha.mk)