Profesori universitar, Avzi Mustafa, për gazetën KOHA, ka deklaruar se pandemia dhe mbajtja e mësimit online nuk i ka arritur rezultatet e pritura, kështu që siç tha ai, këtë vit rezultatet e PISA-s, nuk do të jenë të kënaqshme dhe mund të kemi rezultate edhe më të dobëta se vitet e kaluara
Zenel MIFTARI
Shkup, 20 shtator – Qendra e Provimeve Shtetërore (QPSH), fillon me realizimin e testit provues e cila për herë të parë do të mbahet përmes kompjuterit. Testi do të zhvillohet në shkollën “Borço Petrushevski”. Rreth 900 fëmijë të zgjedhur rastësisht që kanë lindur në vitin 2005, do të marrin pjesë në testin pilot të QPSH-së. Testi pilot i PISA-s do të mbulojë nxënës nga 13 shkolla në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Provimi do të zhvillohet në periudhën nga 15 deri në 25 shtator. Ky test është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Studentëve të , Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OBZHE).
Elizabeta Naumavska, drejtore e Qendrës së Provimeve Shtetërore, ka deklaruar se testimi i PISA-s, target ka nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme. “Në testet e PISA-s, testohen njohuritë e tyre për matematikën, shkencat natyrore dhe të kuptuarit e leximit, domethënë të gjitha ato aftësi bazë që pritet të kenë nxënësit. Kemi blerë 20 laptopë me përformancë më të mirë dhe 70 laptopë tjerë janë blerë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)”, u shpreh ajo. Naumovska, ka deklaruar se testi kryesor i PISA-s do të zhvillohet në prill të këtij viti shkollor. ”Në vendin tonë, testimi do të realizohet në mënyrë elektronike për herë të parë, pyetësori do të zgjidhet nga fëmijët përmes kompjuterit. Testimi ndërkombëtare në përgjithësi në vendet tjera është në mënyrë elektronike. Deri më tani nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia dhe Sllovenia, kishin mënyra elektronike. Tani edhe ne po shkojmë drejt dixhitalizimit”, nënvizoi ajo.
Profesori universitar, Avzi Mustafa, për gazetën KOHA, ka deklaruar se pandemia dhe mbajtja e mësimit online nuk i ka arritur rezultatet e pritura, kështu që siç tha ai, këtë vit rezultatet e PISA-s, nuk do të jenë të kënaqshme dhe mund të kemi rezultate edhe më të dobëta se vitet e kaluara. “Jam pesimist se do të arrihet një rezultat i kënaqshëm, shumë njësi mësimore nuk janë ligjëruar apo nxënësit janë paraqitur në mësim por nuk kanë qëndruar që ta dëgjojnë mësimdhënësin kështu që nuk pres rezultate të mira këtë vit”, ka thënë ai.
Ndërkohë nga ane tjetër, Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE), ka thënë Maqedonia e Veriut, si vend duhet ta shoh se cilat janë njohuritë e nxënëseve në të gjithë botën. “Ne mund t’i themi vetes se jemi më të mirët, por teste të tilla relevante na tregojnë se ku krahasohemi me vendet e tjera. Kjo do të na tregojë se çfarë duhet të ndryshojmë në arsimin e mesëm”, kanë shtuar nga atje. Raporti i fundit i PISA-s, i cili është botuar vitin e kaluar thotë se nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoni, në të tre fushat, janë statistikisht dukshëm prapa mesatares së vendeve tjera. “Është e nevojshme të krijohet një strategji kombëtare që do të adresonte rritjen e kompetencave të leximit, matematikor dhe shkencor të nxënëseve. Në këtë strategji, bazuar në matjet ndërkombëtare dhe kombëtare, të vendosen objektiva dhe qëllime specifike të matshme dhe të arritshme që do të vlerësonin zbatimin e strategjisë. Dallimi midis arritjeve të nxënësve nga arsimi i mesëm profesional dhe të nxënëseve nga gjimnazi duhet të zvogëlohet”, shtojnë në fund nga OBZHE.
Ndryshe, testimi do të kërkoj të menduarit logjik dhe kritik. Të gjitha pyetjet janë standardizuar në mbarë botën dhe përkthehen në gjuhët amtare. (koha.mk)