Bëhet fjalë për një test të thjeshtë në internet për njerëzit e moshës 40 vjeç e lart për të parashikuar rrezikun e melanomës, kancerin e lëkurës, që nëse nuk diagnostikohet në kohë, shpesh është fatal. Është vënë në zbatim nga hulumtuesit e Queensland Institute of Medical Research Berghofer (QMIR). I quajtur parashikues të rrezikut ose QSkin, është i bazuar në një pyetësor për rreth 42 mijë njerëz, nga të cilët më shumë se 650 janë diagnostikuar tashmë me melanoma gjatë periudhës së hulumtimit.
QSkin llogarit probabilitetin që ka një person për t’u prekur nga melanoma, në tri vitet e para dhe në vazhdim, në bazë të faktorëve të tillë, si: mosha, gjinia, aftësia për t’u nxirë, ngjyra e flokëve, përdorimi i kremit solar, si dhe numri i fëmijëve në moshën 21-vjeçare. Testi tashmë është i disponueshëm në internet nga faqja e web-it të Institutit. Siç e përshkruan epidemiologu David Whiteman, drejtor i Institutit të grupit të kontrollit të kancerit, pyetësori ka një faktor sigurie rreth 70%, shumë më tepër se testet e ngjashme të përdorura për të përcaktuar rreziqet e kancerit të gjirit dhe të zorrëve.
“Ky mjet do t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë se cili është rreziku i tyre dhe nëse është shumë i lartë, do të ishte e këshillueshme që të konsultoheshin me mjekun përkatës për kontrolle më të rregullta të lëkurës”, shkruan ai në faqen e internetit të Institutit Whiteman, i cili ka punuar në projekt për tetë vjet. “Zbulimi i hershëm i melanomës është jetik dhe ky mjet do të ndihmojë në identifikimin e njerëzve që janë më të rrezikuar si dhe do të ndihmojë mjekët në diagnozën dhe protokollet e trajtimit”, shton ai.
Edhe njerëzit, te të cilët rreziku i melanomës është vlerësuar në një nivel të ulët, duhet të mbeten vigjilentë ndaj mbrojtjes së diellit. “Shumica e australianëve kanë rrezik më të lartë të melanomës sesa njerëzit që jetojnë në vende të tjera për shkak të kombinimit të lëkurës së butë dhe niveleve shumë të larta të dritës së diellit”, paralajmëron epidemiologu. Sipas parashikimeve, në vitin 2018 në Australi do të vdesin pothuajse 2000 vetë nga melanoma dhe do të diagnostikohen më shumë se 14 mijë raste.