E mira e kësaj iniciative për ndryshim të Ligjit për Shtetësi është që përveç shpërfaqes së (mungesës së) sinqeritetit dhe fuqisë politike të partive shqiptare në këtë Qeveri, tregoi që ekzistojnë parti politike shqiptare të cilat ofrojnë zgjidhje konkrete për probleme reale dhe solli në diskurs publik dhe rend dite një problematikë e cila i tangon shumë bashkëqytetarë tanë të cilët edhepse janë pjesë integrale e këtij shteti, përjashtohen padrejtësisht nga të qenurit pjesë formale e tij
Nga Omer AJDINI
Ballkani njihet dhe dihet si vendi i paragjykimeve që etnitetet kanë ndaj njëra tjetrës, e jo rrallë këto paragjykime shndërrohen edhe në racizëm i cili manifestohet atëherë kur këto paragjykime bëhen pjesë të institucioneve shtetërore me çka qytetarët shpesh diskriminohen në baza etnike. E një rast shkollorë është Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV), konkretisht ligji për shtetësi. Ky ligj, i cili është modifikuar disa herë, ka qenë jo vetëm rregullator i procedurave përmes së cilave njerëzit janë bërë shtetas të RMV-së, por në raport me shumë shqiptarë dhe etnitete tjera ky ligj ka luajtur rolin e gardianit përjashtues i cili ua ka pamundësuar me vite e dekada të tëra shumë prej tyre të bëhen juridikisht pjesë e shtetit në të cilin kanë jetuar me dekada të tëra, kanë familjet e tyre, paguajnë taksa, dhe ku me një fjalë përkasin dhe meritojnë të jenë qytetar formal.
Fatmirësisht sot derisa po flasim, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa veçmë kanë ndërmarrë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi njëherë e përgjithmonë. Propozim Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shtetësi i cili veçmë është në parlament, ndër të tjera, synon edhe të minimizojë hapësirën për keqpërdorim të ligjit e cila i është dhënë organeve të sigurisë të cilat me ligjin aktual duhet të japin aprovimin final që një person të marrë shtetësinë, e që në shumë raste pikërisht këto organe të sigurisë duke diskriminuar shqiptarët ua kanë mohuar të drejtën për shtetësi duke i cilësuar ato si “të rrezikshëm për sigurinë e shtetit” edhe pse ironikisht ata njerëz kanë vazhduar të jetojnë të lirë në RMV!
Problemi me shtetësitë siç duket pranohet si çështje që kërkon zgjidhje edhe nga Qeveria aktuale edhepse siç duket ky propozim për ndryshim dhe plotësim të ligjit i ka vënë në siklet partnerët e koalicionit. Lëvizja Besa dhe PDSH si të pafuqishme në këtë Qeveri, duket që presin të shohin se si do të reagojnë “më të mëdhenjtë” duke mos u deklaruar haptazi që janë pro apo kundër kësaj iniciative. Pra që në fillim këto dy parti veçmë nuk arritën të kalonin testin e fuqisë politike, dhe sinqerisht thënë nuk pritej të ishte ndryshe.
Në anën tjetër, kjo iniciativë për ndryshim të ligjit qartazi vë në test serioz vullnetin e LSDM-së për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat përballen shqiptarët dhe etnitetet tjera jo-maqedone. E para, fakti që kjo iniciativë vije nga opozita shqiptare dhe jo nga LSDM-ja është treguesi më i mirë që problematikat që tangojnë shqiptarët nuk radhiten lartë në prioritetet e LSDM-së. E dyta, rezervat që shfaqë LSDM-ja mbi iniciativën dhe tendencat për ta sabotuar atë përmes paralajmërimeve që do të përgatitet propozim ndryshim i ri për ligjin aktual tregon atë që veçmë shihet nga të gjithë: që LSDM retorikën e butë ndaj shqiptarëve e ka pasur për një apo dy cikle zgjedhore dhe jo indikator të reformimit të brendshëm ideologjik të saj.
Megjithatë ky propozim ndryshim i ligjit testin më të madh e paraqet për Bashkimin Demokratik për Integrim. Me këtë iniciativë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa para se gjithash kanë vënë në dukje një neglizhencë të pashoqë të kësaj partie ndaj njëbrenge disa dekadëshe me të cilën janë përballur shumë shqiptarë edhepse kjo parti ka qeverisur për gati dy dekada. Përveç kësaj, kjo iniciativë po vë në test para se gjithash seriozitetin e BDI-së për të gjetur zgjidhje ligjore për shumë qytetarë të cilët mund të kenë shpresuar që qeveria e tanishme do t’ua zgjidhje problemin e shtetësisë. Mirëpo siç duket nga narrativa inkonsistente e funksionarëve të BDI-së, testi i seriozitetit dhe sinqeritetit politik me shumë gjasë mund të mos kalohet nga kjo parti meqë në vend të shprehjes së gatishmërisë për ta imponuar këtë iniciativë ndaj palës tjetër, kufizojnë përkrahjen e tyre vetëm në votat që do t’i kishin dhënë në parlament pro këtyre ndryshimeve. Kjo qartë dëshmon nivelin e sinqeritetit dhe përkushtimit të kësaj partie politike për t’i dhënë fund problemeve të shqiptarëve në këtë shtet!
E përveç testit të seriozitetit politik, kjo iniciativë ka vënë në test serioz edhe fuqinë politike të BDI-së në këtë koalicion qeveritar. Pranimi i nevojës për ndryshim të ligjit dhe gatishmëria e BDI-së për të votuar propozimet që janë sjellur nga Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa logjikisht të bëjnë të mendosh që kjo parti i pranon këto propozime si të dobishme për shqiptarët dhe prandaj duke qenë pjesë e një koalicioni Qeveritarë do të duhej të bënte çmos që kjo iniciativë të kalonte. Pra, duke qenë pjesë e një koalicioni të brishtë qeveritarë, logjika e shëndoshë do të thoshte që BDI-ja (apo cilado parti shqiptare në qeveri) do të përdorte mekanizmin e kushtëzimit të cilin ja mundëson përbërja e brishtë e kësaj qeverie që ta detyrojë partnerin e saj qeveritar (LSDM-në) t’i votojë propozimet për ndryshim të ligjit. Mirëpo siç duket BDI nuk është e gatshme ta përdorë pozitën e saj dhe mekanizmin e kushtëzimit të cilin ja mundëson të qenurit në këtë qeveri për t’i ndihmuar qytetarët pa shtetësi, e kështu përveç prioriteteve të BDI-së, vihet në pah edhe fuqia reale politike e saj.
Sidoqoftë, e mira e kësaj iniciative për ndryshim të Ligjit për Shtetësi është që përveç shpërfaqes së (mungesës së) sinqeritetit dhe fuqisë politike të partive shqiptare në këtë Qeveri, tregoi që ekzistojnë parti politike shqiptare të cilat ofrojnë zgjidhje konkrete për probleme reale dhe solli në diskurs publik dhe rend dite një problematikë e cila i tangon shumë bashkëqytetarë tanë të cilët edhepse janë pjesë integrale e këtij shteti, përjashtohen padrejtësisht nga të qenurit pjesë formale e tij. E nëse edhe këtë herë nuk arrihet një zgjidhje e mirëfilltë për këtë kategori të qytetarëve, atëherë vërtetë ky shtet është ai që është “i rrezikshëm për qytetarët” dhe jo e kundërta!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)