“Testi i shpejtë”, ideja e presidentit të Union Berlinit për të mbushur stadiumin

26

Bundesliga nisi sezonin e ri fundjavën e kaluar, por të pranishëm në shkallët e stadiumeve ishin një pjesë shumë e vogël e tifozëve, në varësi të kushteve që ofron çdo impiant. Mirëpo kjo nuk duket se është e mjaftueshme për Union Berlinin.

Presidenti i këtij ekipi, Dirk Zingler, në një prononcim për “ARD-Hörfunk”, tha se më 25 tetor është planifikuar të zhvillohet një ndeshje provë (miqësore), pa rregulla të distancimit fizik. Bosi i ekipit berlinez vuri në dukje se e kishte përparësi mbushjen e “Stadion An der Alten Försterei” në kapacitet të plotë prej 22,2012 vendesh. Ai dha se po punonte në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e ligës, politikanët lokalë dhe autoritetet shëndetësore për zhvillimin e këtij testi një ditë pas takimit të javës së pestë të Bundesligës Union Berlin-Frieburg (24 tetor).

Çelësi për vënien në jetë të këtij projekti është i ashtuquajturi “testi i shpejtë”. Pra, të gjithë tifozëve do të bëhet analiza e COVID-19 dhe përgjigjja do të merret në vend. Një turmë e përbërë nga tifozë të gjithë negativë, mund të mbushin stadiumin pa masa ose kufizime fizike.

Mbetet e paqartë nëse zyrtarët e shëndetit publik do ta miratojnë projektin. Është e njohur se personat e infektuar me Koronavirus mund të testohen negativisht deri dy javë para se të shfaqin simptoma. Në çdo rast, Union Berlini dëshiron të jetë pararojë, duke ofruar një model të zbatueshëm për klubet në të gjithë botën.

“Përmes përdorimit të testeve parandaluese, ne do të punojmë intensivisht për të gjetur një mënyrë që njerëzit të marrin pjesë në ngjarje pa qenë nevoja e distancimit fizik, – vuri në dukje Zingler.

Comments are closed.