Testi i maturës mbahet më 29 gusht

67

Testi i maturës i paraparë të mbahet në fund të muajit gusht nuk do të anulohet. Kështu ka vendosur të hënën Këshilli Shtetëror i maturës. Testi do të mbahet më 29 gusht në shkolla ashtu siç ishte përcaktuar muaj më parë.

Ministria e Arsimit, përmes një përgjigje me shkrim, ka theksuar se komunat janë duke i bërë përgatitjet e duhura për këtë test, siç është dezinfektimi i objekteve, furnizimi me materiale mbrojtëse, sanitare e higjienike. Për këtë proces, MASH-i ka bërë të ditur se është në koordinim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, raporton KOHA.

“MASH-i në bashkëpunim me DKA-të ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që mësimdhënësit dhe nxënësit të jenë të mbrojtur gjatë realizimit të Testit të Maturës, duke respektuar gjithashtu të gjitha rekomandimet e tjera të parapara nga Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë. MASH-i ka pranuar një donacion me pajisje mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) nga Programi për Ndihmë Humanitare i Komandës Ushtarake Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat do të përdoren për realizimin e Testit të Maturës, për nxënësit që do t’i nënshtrohen Testit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas njohësve të çështjeve të arsimit, MASH-i është dashur t’i njoftojë më herët nxënësit dhe mësimdhënësit për mënyrën e realizimit të këtij testi. Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard” vlerëson se kjo vonesë mund të shkaktojë hamendje te nxënësit, por edhe te mësimdhënësit.

Për shkak të situatës me pandeminë, javën e kaluar ministri i Arsimit, Ramë Likaj, mori vendim që të anulojë testin e arritshmërisë, i cili ishte paraparë të mbahej më 20 gusht. E konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme do të hapet javën e ardhshme. Kriter për regjistrim do të jetë nota mesatare e të gjitha lëndëve që do të vlerësohet me 60 pikë, si dhe nota mesatare e lëndëve prioritare që do të vlerësohet me 40 pikë.

Comments are closed.