Një laborator gjerman po shpreson që të kursejë kohë për dërgimin e testeve të koronavirusit përreth Berlinit duke përdorur dronë, duke iu shmangur kështu rrugëve të stërmbushura të kryeqytetit. Kompania “Matternet” me bazë në Kaliforni tashmë është duke i testuar dërgesat me dron mes një spitali dhe laboratorit të Berlinit, një nga laboratorët më të mëdhenj në Evropë.
Rruga nga droni deri te laboratori është rreth 11 kilometra, përderisa droni fluturon dhe zyrtarët presin që ta zvogëlojnë kohën standarde të dërgesave – që është rreth një orë deri në afro 10 minuta – kur të fillojë shërbimi rrugor në janar. Përfundimisht, shpresa është që dronët do të sigurojnë dërgesa të rregullta në laboratorë nga gjashtë pika përreth Berlinit, duke kursyer minutat jetësore të kohës për teste të COVID-it.
“E tërë çështja e ‘kohës për rezultat’ është vërtet e rëndësishme, sidomos kur ekziston dyshimi për infektim”, ka thënë Klaus Tenning, që është duke e udhëhequr projektin për laboratorin e Berlinit. “Doni ta identifikoni personin dhe t’i merrni rezultatet sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që personi të mund të vetizolohet, apo të mund të vazhdojë jetën normale”. Në secilën rrugë do të dërgohen dy dronë, që teorikisht fluturojnë 24 orë në ditë.
Bateritë në dronë thjesht ndërrohen kur fillojnë të harxhohen, duke e eliminuar kohën e mbushjes. Secili dron mund t’i bartë rreth 40 mostra. S’është që vetëm testet për COVID-19 do të transportohen, por çfarëdo mostre që duhet të ekzaminohet në laborator.