Në testimet e bëra, përveç aspektit shëndetësor që i takon sektorit të mjekësisë, paraqitet edhe një situatë tjetër e pafavorshme dhe pak e palogjikshme në lidhje me numrin e testeve nga njëra anë dhe shpenzimet e shumta që bëhen për testet dhe mos menaxhimi i situatës në mënyrë efikase dhe efektive nga ana tjetër
Zenel MIFTARI
Shkup, 29 tetor – Me shtimin e të infektuarve me virusin korona në mënyrë të pa kontrolluar në vendin tonë, autoritetet shëndetësore shtuan edhe numrin e testeve të bëra për virusin korona brenda 24 orëve në 2,000 teste. Testet për virusin korona bëhen në spitalet publike por edhe në ato private. Sipas eksperteve të fushës, nga testimet e bëra në ditë më shumë se gjysma e tyre bëhet në spitale private ku dhe çmimet për teste janë më të larta. Ekonomisti Ali Maksuti, për gazetën KOHA, ka thënë se nga numrat që paraqiten nga testimet e bëra në Maqedoninë e Veriut, përveç aspektit shëndetësor që i takon sektorit të mjekësisë, paraqitet edhe një situatë tjetër e pafavorshme dhe pak e palogjikshme në lidhje me numrin e testeve nga njëra anë dhe shpenzimet e shumta që bëhen për testet dhe mos menaxhimi i situatës në mënyrë efikase dhe efektive nga ana tjetër.
“Testet që bëhen çdo ditë të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, janë mesatarisht 1800-2000 teste në ditë dhe nga këto teste 60 për qind e tyre bëhen në klinika private kurse pjesa tjetër me terminë në laboratorit publike dhe nga këto teste dalin shuma të mëdha të mjeteve, ku mesatarja mujore arrijnë deri në 4.000.000 euro vetëm për teste. Tani, në situate të kaosit çdo herë paraqitet dhe mundësia për keqpërdorim, ku grupe të ndryshme shfrytëzojnë situatën. Por kur gjendemi në situatë pandemie kur gjithë qytetarët janë prekur si nga ana ekonomike por edhe nga ajo e kufizimit të shërbimeve mjekësore, Qeveria duhet të ndërhy dhe ta menaxhoj më mirë situatën e krijuar”, mendon Maksuti. Sipas tij, testet bëhen, kostot për teste rriten, numri i të infektuarve gjithashtu rritet dhe më e keqja edhe vdekshmëritë e tyre rritet edhe më shumë, ndërsa zgjidhje nga kjo nuk ka dhe menaxhimi i situatës është keq e më keq. Ai shtoi se gjithë ky cikël duhet të krijojë një rezultat pozitiv. “Ndoshta problemi nuk është vetëm tek Maqedonia e Veriut, se në detaje nuk e dijë situatën në shtetet e rajonit. Kurse në vendet e BE-së testet janë gjithë falë dhe hyn tek shërbimet sociale shëndetësore dhe menaxhimi i situatës është në kontroll”, përfundoi Maksuti.
Por sipas eksperteve, numri i testimeve të shumta vjen edhe si pasoj e kërkesës nga qytetarët për tu testuar edhe pse nuk kanë simptoma të virusit korona dhe kjo vjen nga gjendja e tyre rënduar psikologjike. Sociologu Ali Pajaziti, për gazetën KOHA, është shprehur se tani jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, e tendosjeve psikologjike, e humbjes së torruas, kur të gjithë jemi në panik nga presupozimi për të qenë i sëmurë, nga pyetja “vallë mos jam edhe unë me Covid-19”. Sipas tij, kjo gjë i çon njerëzi drejt qendrave për testime, shpeshherë edhe pa pasur nevojë. “Kultura e re, kultura pandemike ka ndryshuar agjendat ditore, javore dhe më gjerë, na ka bërë që të jetojmë me ankth, t’i lëmë gjërat tjera dhe prioritet t’i japim shëndetit. Ka lëkundur edhe ndërveprimet njerëzore, marrëdhëniet tanimë nuk janë spontane, plot hare, por me dilema dhe skepticizëm”, nënvizon Pajaziti. Ai në fund shtoi se nëse rastësisht ulemi me një person që kollitet, disa individë kaplohen nga një gjendje stresante dhe destinacion e kanë konstatimin nëse janë pozitivë apo negativë në virusin korona. Ndryshe, deri më tani, në vendin tonë janë kryer gjithsej 238.011 teste të virusit korona. Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë është 27.827, numri i pacientëve të shëruar është 19.479, numri i vdekjeve ka arritur 949 dhe numri i rasteve aktive është 7399. (koha.mk)