Test për datën e negociatave

“Rasti “Zhvatja” do të jetë një provë reale se sa ka arritur përparim vendi në sundimin e ligjit”, deklaroi për gazetën KOHA, ambasadori francez në Shkup, Kristijan Timonie

Destan JONUZI

Shkup, 23 gusht – Rasti “Zhvatja” nuk do të jetë alibi që Maqedonisë mos i caktohet datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE) në Tetor, por do të jetë një provë reale se sa ka përparuar vendi në sundimin e ligjit. Ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie, vendi i të cilit kundërshton zgjerimin e BE-së dhe ka rezerva për caktimin e datës, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se tani drejtësia e ka fjalën dhe se “Zhvatja” do të tregojë gatishmërinë e institucioneve për ta luftuar krimin. “Tani gjithçka është në duart e drejtësisë, e cila duhet të funksionojë me presion të jashtëm dhe të brendshëm dhe të përkthejë në realitet angazhimet e shprehura nga Qeveria dhe presidenti për transparencën dhe t’i japin fund pandëshkueshmërisë. Rasti “Zhvatja” do të jetë një provë reale se sa ka arritur përparim vendi në sundimin e ligjit”, deklaroi për gazetën KOHA, ambasadori francez në Shkup, Kristijan Timonie. Nga ana tjetër, analisti Dame Çkatroski vlerëson se “Zhvatja” nuk do të ketë ndikim në procesin euro-integrues të vendit, por megjithatë si rrjedhojë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por të rregullta parlamentare vitin e ardhshëm. “Nuk do të ketë asnjë implikim rasti “Zhvatja” në procesin euro-integrues të vendit. Do të zgjidhet deri më 15 tetor. Zgjedhje me gjasa do të ketë pak më vonë dhe nga të parakohshme do të shkohet në zgjedhje të rregullta, pasi që vetëm 3 muaj para tyre do të ketë Qeveri gjithëpërfshirëse sipas modelit të Përzhinës. Besoj se kjo do të ndodh deri më 1 qershor të vitit 2020. Po të mos kishte shpërthyer rasti “Zhvatja” do të kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare, por tanimë ato praktikisht janë të pamundura të organizohen”, deklaroi për gazetën KOHA, Dame Çkatroski, analist. BDI dhe Mickoski, shprehet më tej ai, kanë rënë dakord që më 1 qershor të formohet Qeveri gjithëpërfshirëse, ndërsa në fund të shtatorit të vitit 2020 të mbahen zgjedhjet parlamentare. Edhe analisti, Aleksandar Damovski vlerëson se “Zhvatja” nuk do të jetë alibi që Maqedonisë së Veriut të mos i caktohet datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE) në Tetor. “Datë edhe ashtu nuk do të merrnim pa votën e Francës. Por, pas kësaj që po ndodh vetëm se rritet numri i vendeve që kanë rezerva për datën. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjithçka varet nga zhvillimet e mëtejme në rastin “Zhvatja”, deri ku do të jetë e gatshme prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar të shkon- në vijë horizontale dhe vertikale. Është e qartë se koka e vertikales nuk është Katica Janeva. Kuptohet që pushteti dëshiron të pres anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në muajin dhjetor, dhe më pas të shkohet me qeveri të Perzhinës dhe organizimin eventual i zgjedhjeve të parakohshme në muajin prill ose maj. Kuptohet që ky vendim varet nga presioni i opozitës, nga ajo se çfarë janë në gjendje të bëjnë ato deri në shtator”, deklaroi për gazetën KOHA, Damovski. Ai thekson se kjo garnitura qeverisëse erdhi në pushtet me parullën “s’ka drejtësi, s’ka paqe”. Për fat të keq, kjo do të jetë detyra edhe e Qeverisë së ardhshme. “Përsëri do të harrojmë zhvillimin ekonomik, papunësinë, ikjen e të rinjve, krijimin e një shoqërie për të gjithë etj…”, nënvizon ai. Sikundër dihet, ish-prokurorja Speciale, Katica Janeva u arrestua një ditë pas dëshmisë së saj para Prokurorisë lidhur me rasti “Zhvatja”, që ka të bëjë me zhvatjen e 1,5 milion eurove nga një afarist. Dyshohet se në këtë rast të zhvatjes janë të përfshirë dy persona, që janë të afërt me Janevën. Prokurorja speciale Katica Janeva bazuar në një video-incizim të publikuar nga një gazetë italiane “La Verita” dyshohet të jetë përfshirë në këtë skandal. Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski, dy personat që shihen në incizim duke marrë paratë, i premtojnë afaristit, Orce Kamçev se në bashkëpunim me Katica Janevën do t’i lehtësojnë atij procesin gjyqësor në një aferë tjetër korruptuese. Ky skandal ka shkaktuar përplasje të shumta mes partive politike për atë nëse ka ose jo të përfshirë edhe politikanë.