Pjesa më e madhe e votuesve të zakonshëm gjenden në mërgim, pasi e ardhmja e tyre në këtë shtet është fikur. Ata janë aq të dëshpëruar nga i ashtuquajturi shtet sa kanë lënë shtëpitë e tyre, për t’ju dorëzuar vendeve të huaja, për të cilat tregojnë se i mbajnë më mirë! Një grup tjetër shumë i madh i votuesve të zakonshëm janë të papunë, janë ata që i kanë sytë e ndezur nga pamundësia e të jetuarit! Janë prindërit që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturat e ujit dhe rrymës! Janë studentët me diploma të harruara në rafte
Nga Dr.Arben TARAVARI
Winston Churchill, një nga kryeministrat që do të linte gjurmë pozitive në histori si rrallë politikanë, pat thënë: “argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë 5 minutëshe me një votues të zakonshëm”. Kështu ky anglez sa babaxhan aq edhe sarkastik do të na sillte një nga formulat më të thjeshta por më të sigurta për të testuar demokracinë dhe të mirat e saj, në një vend.
Kështu le të përdorim pikërisht këtë metodë për të parë këtu në vendin tonë se si dhe sa ka funksionuar sistemi demokratik i shtetit. Të gjitha partitë qeveritare kanë folur në emër të rrymave që në thelb kanë pasur lirinë dhe mirëqenien e individit. Mirëpo a është zbatuar dhe a zbatohet ky kontekst tek qytetari? Zakonisht të gjithë kryetarët e partive qeveritare jetojnë në disa rè mashtruese që për fat të keq ju ndërtohen nga disa varshmërit e tyre. Në ekipet që drejtuesit e institucioneve shtetërore nuk mungojnë asnjëherë të paktën nja 2 apo 3 individë, të cilët sigurinë e vendit të tyre të punës e masin duke i bërë përkulje shefit! Qëllimi i tyre është optimizmi i Eprorit, qoftë edhe me kushtin e një realiteti të rremë!
Madje pjesa më e madhe e diktatorëve kanë qenë njerëz naiv, të cilët ishin viktimë e disa individëve që i mbanin në surealizëm, duke ndërtuar rreth tyre një botë krejtësisht imagjinare! Shembuj të tillë ka me qindra, si për shembull në Korenë e Veriut që thonë se ende besohet që përfaqësuesja e tyre në futboll, ka fituar Kampionatin Botëror të Futbollit. Në Shqipërinë komuniste besohej se pas Ish-Bashkimit Sovjetik, Shqipëria ishte fuqia e dytë në botë, që edhe pse me një popullsi as 3 milionë banorë gjatë asaj periudhe, ky shtet ishte gati të mposhte Ushtrinë Amerikane me një të mbyllur të syve!
Histori të tilla tingëllojnë komike dhe sigurisht përralla që mund t’i besojnë vetëm fëmijët e moshës 3-4 vjeç, mirëpo në vendet ku janë besuar kanë shkaktuar dëme të pa imagjinueshme si varfëri, krime, eksod, zhdukje të papritur të njerëzve, regjime totalitare që janë fshehur nën flamujt e dashurisë për popullin. Gjithsesi këto shembuj që u përmendën i përkasin Koresë së largët dhe Shqipërisë së dikurshme. Le të vijmë këtu, në vendin tonë dhe le të përpiqemi të bëjmë një bisedë 5 minutëshe si thotë Churchill-i me një votues të zakonshëm. Duhet theksuar se me termin “të zakonshëm” nuk nënkuptohet ndonjë racë më e ulët njerëzore, nënkuptohet shumica e popullsisë, ata që duhet të punojnë si mësues, rrobaqepës, mjekë, zdrukthëtarë, inxhinierë, zjarrfikës, profesorë apo të Rinjtë mbi 18 vjeç që duhet të projektojë shtetin e të ardhmes me votën e tyre!
Si fillim, pjesa më e madhe e votuesve të zakonshëm gjenden në mërgim, pasi e ardhmja e tyre në këtë shtet është fikur. Ata janë aq të dëshpëruar nga i ashtuquajturi shtet sa kanë lënë shtëpitë e tyre, për t’ju dorëzuar vendeve të huaja, për të cilat tregojnë se i mbajnë më mirë! Një grup tjetër shumë i madh i votuesve të zakonshëm janë të papunë, janë ata që i kanë sytë e ndezur nga pamundësia e të jetuarit! Janë prindërit që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar faturat e ujit dhe rrymës! Janë studentët me diploma të harruara në rafte, pasi nuk punësohen dot askundi!
Janë pleqtë që vdesin para kohe nga trishtimi i varfërisë dhe i ikjes së fëmijëve! Janë dhe ata që kanë familjarët e dënuar në gjyqe të montuara, që kalben padrejtësisht në qeli të errëta burgjesh! Janë dhe ata që as nuk e dinë ku i kanë dhe kush ja ka zhdukur familjarët! Janë ata që për një vendim punësimi trajtohen si kafshë shtëpiake nga eprorët e tyre, që për çdo pagë që marrin ju vdes edhe më shumë dinjitetit! Ka ende, por le të themi që ky është një skaner i votuesve të zakonshëm të Maqedonisë se në rastin e një rezonance magnetike sigurisht që do dilnin dhe shumë informacione të rënda.
Kush e ka fajin për këtë situatë? Ata vartës që vetëm për të mbushur xhepat, mashtrojnë drejtuesit e tyre?! Ata drejtues që janë aq naiv dhe të paaftë sa ju besojnë?! Ata drejtues që nuk kanë qëllim tjetër veçse pasurimit personal?! Populli që nuk i dënon, por zgjedh të ikë?! Partitë që më shumë shahen me njëra-tjetrën se sa punojnë për popullin?! Të gjithë! Fajin e kemi të gjithë! Nëse do të bënim tashmë një bisedë me z.Churchill, do i thoshim që testi i sistemit demokratik në Maqedoni nuk na dha rezultate pozitive, burri i zgjuar do na përgjigjej: kurrë, mos u dorëzoni kurrë!
Le të vazhdojmë përpara, ne, votuesit e zakonshëm që kemi në dorë ndryshime të Jashtëzakonshme!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)