Para disa muaj, është shfaqur modeli Tesla iPhone X i cili ka një dizajn të veçantë dhe ka të integruar mbushësin solar, ndërsa çmimi i tij është 4400 dollarë. Tani, uebfaqja MacRumors ka marrë iniciativën që ta testojë këtë iPhone X të veçantë. Sipas kompanisë Caviar, e cila ka dizajnuar këtë smartfon të veçantë, Tesla iPhone X e ka marrë emrin sepse paneli solar për mbushje dhe bateria të cilat janë të integruara në këtë smartfon janë të frymëzuara nga Elon Musk, pronari i Teslas, transmeton Koha.net. Përveç emrit dhe dizajnit solar, nuk ka ndonjë lidhje tjetër me kompaninë Tesla. Mbushësi solar për Tesla iPhone X nuk është korniza apo bateria e integruar – ajo është ndërtuar direkt në këtë smartfon. Pjesa solare shtesë është bateria prej 2.300 mAh e cila mund ta mbush smartfonin dhe bateria mbushet me ndihmën e energjisë së diellit ose përmes USB-së. Kur përdorë energjinë diellore, baterisë i duhen rreth 30 orë për tu mbushur ndërsa kur gjendeni në shtëpi asaj i duhen vetëm disa orë që të mbushet përmes kabllos magnetike për mbushje.