John Terry i dha lamtumirën futbollit të luajtur pak ditë më parë dhe është kthyer tek Aston Villa, por tashmë si pjesë e stafit teknik. Ish-mbrojtësi i famshëm do të jetë zëvendëstrajner, ndërsa trajner i parë është zgjedhur Dean Smith. Një emër surprizë, sepse ditët e fundit u përmendën emra të tjerë, mes të cilëve edhe Thierry Henry, ndërkohë që klubi nga Birmingami ka bërë revolucion në drejtim, sepse ka prezantuar edhe drejtorin e ri sportiv, spanjollin Jesús García Pitarch, i cili ka punuar më parë për Valencian dhe Atletico Madridin.
Smith vitet e fundit drejtoi Brentfordin dhe konsiderohet një trajner shumë i talentuar, i cili vitin e shkuar u bë i famshëm për futbollin e bukur që aplikoi skuadra e tij në Championship. Më parë Smith ka drejtuar edhe Walsall-in, me tifozët që e quanin “Mourinho kokëkuq”. Villa kishte edhe emra si Brendan Rodgers, Rui Faria e të tjerë personazhe të njohur, por ka zgjedhur dikë që është ekspert në Championship dhe është i zoti të ndërtojë skuadra nga e para, duke mos shpenzuar pa fund.