Klasa politike sikur u bë pishman për Ditën e 27 Prillit – edhe ata që e cilësuan si vepër terroriste, tani përpiqen që ta shlyejnë atë njollë të VMRO-së, si një interes të përbashkët kombëtarë. Do bëjnë çdo gjë; do ndryshojnë rrjedhën dhe synimet e ngjarjeve, vetëm e vetëm ngjarja terroriste e 27 Prillit, të mos quhet vepër terroriste, dhe aktorët të mos emërohen si terroristë. Dihet, tashmë shumë dekada se kjo fjalë është etiketa e shqiptarëve, dhe askujt tjetër
Nga Shaqir ISLAMI
Disa dekada të fundit fjalët terrorizëm dhe terrorist janë ndër më të përmendurat si në sferën publike, politike dhe në kumtimin e përditshëm të njerëzve. Pra, kanë dalë jashtë kontekstit politik; dhe përdoren për të cilësuar dhe etiketuar çdo veprim të dhunshëm dhe tragjik për të arritur një synim të caktuar. Personi që ushtron dhunë psikike dhe fizike, edhe brenda familjes e quajmë terrorist; ndërsa veprimin e tij e cilësojmë si terrorizëm. Kemi dhe foljen për këtë veprim – terrorizon. Nuk thonë kot se gjuha është një çudi dinamike, që përthith çdo gjë rreth-e-rrotull që përvetëson dhe përshtat çdo gjë, me qëllim që njerëzit të merren vesh sa më kollaj.
Le të shohim se çka thotë fjalori: terrorist është individi që përdor dhunë dhe frikësim të paligjshëm, posaçërisht kundër qytetarëve, për t’i arritur qëllimet e veta politike. Ndërsa, veprimi quhet terrorizëm. Dhe sot, lajmet – ma merr mendja – anekënd planetit nisin dhe mbarojnë me këto dy fjalë. Hamendem, vetëm nëse sot, këto dy fjalë përmenden më shumë se hamburgeri, byreku ose bakllavaja.
Javën e kaluar terrorizmi ishte tema politike në sferën tonë publike. Të gjitha shtyllat e pushteteve të ndara të shtetit, u përfshinë në këtë muhabet. Çështja ishte, pikënisja e ‘prodhimit të pajtimit’ mes institucioneve dhe publikëve në vendin tonë. Pra, duhet arritur pajtueshmëria për ta rimodeluar artikulimin e terrorizmit të partisë VMRO më 27 Prillin famëkeq. Drejtësia e vendit – përpjekjen e dështuar më 27 Prill, të partisë VMRO për rrënimin e shtetit dhe të rendit kushtetues – e cilësoi si vepër terroriste, ndërsa veprimtarët e kësaj vepre të shëmtuar, si terroristë.
Sipas përkufizimit të çdo fjalori dhe teorie për shprehjen terrorizëm – vepra e 27 Prillit, i ngërthen në vete të gjitha elementet e definicionit, për fjalën terrorizëm. Dhe, drejtësia nuk ka bërë asnjë shkelje; qoftë ligjore, qoftë gjuhësore.
Megjithatë, 27 Prilli është njolla më e zezë e demokracisë në vendin tonë. Ky akt politik i VMRO-së, është nishan i kësaj partie dhe i shkon për shtati emrit dhe veprimtarisë agresive politike, si në vepra, sjellje dhe komunikim të saj. Prandaj, Mickovski shantazhon Qeverinë, Drejtësinë dhe Institucionin Kryetar Shteti. Ai bën pazarllëqe të pista me institucionet, duke u përpjekur që t’i zhyt të gjitha shtyllat e shtetit në pisllëkun e VMRO-së.
Dhe për habi, vërehet se është në udhë e sipër ‘fabrikimi i pajtueshmërisë’ ka një gatishmëri nga ana e të gjitha institucioneve që të shpërlahet vepra terroriste e VMRO-së, dhe të paketohet si një vepër emocionale patriotike nga dashuria e tepërt për atdheun; dhe se, “çdo gjë ndodhi për shkak të emërimit të një shqiptari si kryetar i kuvendit”. Dhe, me sa u pa, urrejtja, mllefi, dhuna shtazarake u shfry (ndoshta, dikush mendon se, e gjithë kjo ndodhi shumë rastësisht), ndaj një viktime kryesore, i cili ishte një politikan shqiptar; ndërsa, aktorët maqedonas në këtë vepër ashiqare grusht- shtet, vetëm u gërvishtën dhe u shanë.
Pse, këmbëngulet që të ri-vizatohet historia politike e vendit dhe riciklohet vepra terroriste e 27 Prillit të partisë VMRO?
Fjalët terrorist dhe terrorizëm janë të rezervuara për etninë shqiptare. Pra, sipas mendësisë së klasës politike maqedonase, vetëm shqiptarëve u ka hije kjo fjalë. Terrorizmi është nishani ose hajmalia e tyre. Tashmë një shekull do mbushet, në të cilin shqiptarët e kanë përfituar nofkën si të tillë. Çdo vepër e tyre për t’i fituar të drejtat elementare të njeriut; çdo luftë e tyre kundër dehumanizimit të skajshëm të shtetit; çdo përpjekje për t’u barazuar me bashkëqytetarët e tyre maqedonas; çdo përpjekje për ta ruajtur pronën e tyre është etiketuar si terrorizëm; qoftë nga drejtësia; qoftë nga shteti dhe politika.
Klasa politike sikur u bë pishman për Ditën e 27 Prillit – edhe ata që e cilësuan si vepër terroriste, tani përpiqen që ta shlyejnë atë njollë të VMRO-së, si një interes të përbashkët kombëtarë. Do bëjnë çdo gjë; do ndryshojnë rrjedhën dhe synimet e ngjarjeve, vetëm e vetëm ngjarja terroriste e 27 Prillit, të mos quhet vepër terroriste, dhe aktorët të mos emërohen si terroristë. Dihet, tashmë shumë dekada se kjo fjalë është etiketa e shqiptarëve, dhe askujt tjetër. Meqë në shtetin tonë sundon aparthejdi dhe diskriminimi, VMRO nuk mund të barazohet me shqiptarët dhe të quhet parti terroriste.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)