Urim HASIPI
Tetovë, 23 maj – Që nga fillimi i këtij viti zjarrfikësit e Tetovës kanë intervenuar në 200 raste të përhapjes së zjarrit .Sipas drejtuesve të kësaj njësie të zjarrfikësve, intervenimet janë kryer edhe në komunat rurale, shkruan gazeta KOHA. “Përveç Tetovës, në mbulojmë edhe pesë komuna rurale, siç janë ajo e Tearcës, Jegunocit, Zhelinës, Bërvenicës, Bogovinës, Zhelinës dhe hasim në probleme, sepse mbulojmë një sipërfaqe mjaft të madhe. Krahas këtyre komunave, ne mbulojmë edhe Kodrën e Diellit dhe fshatrat e Malësisë së Sharrit. Për shembull, fshati Jazhincë është shumë larg nga vendndodhja jonë apo mbi 30 kilometra dhe derisa të arrijmë ne atje, mund të ndodhë edhe më e keqja, pra nuk bëhet fjalë për vonesë apo neglizhencë të zjarrfikësve, por largësia e bën të veten”, deklaroi Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Sipas tij, është bërë kërkesë që në kuadër të brigadës së zjarrfikësve në Tetovë të formohen nënstacione në komunat rurale. “Ka pasur edhe kërkesa nga ana jonë, edhe nga komunat. Kemi iniciativa dhe ne presim që sa më shpejtë të formohen këto nënstacione në komunat rurale, pasi që është nevojë e patjetërsueshme, me qëllim që ne si njësi të jemi më afër qytetarëve në raste të zjarreve, vërshimeve, tërmeteve, aksidenteve e kështu me radhë. Pra, shpresojmë që pas zgjedhjeve lokale kryetarët e komunave t`i qasen kësaj problematike me seriozitet dhe të paktën të kemi nënstacione në këto komuna. Sepse, edhe nëse ekziston një automjet që mund të arrijë shumë shpejt tek vendngjarja, pasojat do të jenë më të vogla”, tha për KOHA, Aliti. Në ndërkohë, sipas tij, aktualisht Njësia e zjarrfikësve në Tetovë disponon me 10 automjete kundër zjarrit, por evidente është mungesa e automjeteve më të vogla. “Me zhvillimin urban të qytetit, qasja nëpër shumë lagje me automjetet e mëdha është e vështirë, prandaj nevojiten automjete të vogla, sidomos për në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Ne kemi vetëm një automjet të tillë që na ndau qendra për menaxhim me kriza para disa kohësh, por duhet akoma automjete të këtilla”, nënvizoi ai.
Përndryshe, 6 komunat e Pollogut, duke mos përfshirë Gostivarin dhe Vrapçishtin, mbulohen nga një njësi e zjarrfikësve dhe nga një ndihmë e shpejtë. Këto dy institucione të rëndësishme ende nuk kanë pika të disperzuara nëpër komunat përreth dhe çdo intervenim kryhet nga qyteti i Tetovës, qoftë edhe në distanca më të largëta që shkakton pakënaqësi edhe te qytetarët, të cilët ankohen për vonesa kur bëhet fjalë për aksidente apo zjarre. Deri më tash vetëm dy fshatra janë pajisur me iniciativë të vet banorëve me automjet kundër zjarrit, gjegjësisht fshati Përshefcë dhe Strimnicë. (koha.mk)