Në Maqedoninë e Veriut, para tërmetit të viti 1963 ndërtesat janë ndërtuar pa kritere sizmike dhe ishte ky tërmet një mësim i mirë për të gjithë inxhinierët dhe investitorët që në ndërtimet e mëvonshme të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat.
Zenel MIFTARI
Shkup, 2 janar – Me 26 korrik të vitit 1963 Shkupin e dridhi një tërmet i fuqishëm ku humbën jetën 1070 persona, ndërsa u lënduan 3 mijë të tjerë. Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Nga tragjedia e Shkupit u trondit dhe u angazhua e gjithë bota.
Maqedonia e Veriut, bashkërisht me rajonin gjenden në një zonë mes dy pllakave e cila përbënë një zonë aktive tektonike dhe të rrezikshme. Ndërsa në qytetet si Dibra e Shkupi kalon e ashtu quajtura “Çarja e Kustendilit” që vazhdon deri në Shqipëri. Pas tërmetit në Durrës, i cili shkaktoi 51 viktima, qindra të lënduar dhe shumë dëme të tjera materiale, ku dhe u rrënuan qindra banesa, është rritur frika te qytetarët se a mund të ndodh një tërmet i njëjtë i rrezikshëm edhe në vendin tonë.
NDËRTIMET ILEGALE, RREZIK POTENCIAL
Njëri prej investitorëve më të suksesshëm në fushën e ndërtimit, Fatmir Etemi, tha se rregullat e ndërtimit dhe rregullat sizmike në Maqedoninë e Veriut, janë më të ashpra në krahasim me vendet e rajonit. Gjithashtu, ai shtoi se pas tërmetit të vitit 1963 shteti ka investuar më shumë në fushën e sigurisë së ndërtimeve dhe ka ngritur nivelin e rregullave sizmike, me të vetmin qëllim që të mos të përsëriten fatkeqësitë e njëjta, të rrënohen banesa dhe të kemi humbje jete të njerëzve në masë të madhe, si pasojë e ndërtimeve jo të rregullta.
“Problematika në vendin tonë ekziston te ndërtesat, të cilat janë ilegale ku nuk kemi kontrolle nga askush. Këtu kemi një rrezik të madh, sepse gjithçka varet nga investitori se sa dëshiron që të kursej. Ndërsa në ndërtesat legale, ku janë respektuar rregullat nga Instituti Sizmologjik, mund t’i përballojnë lëkundjeve dhe janë të sigurta deri më 7 shkallë të Rihterit”, sqaroi Etemi.
Ndërsa profesori i ndërtimtarisë në Shkollën e Mesme të Ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski” – Shkup, Jonuz Memeti, tha se objektet mbi 300m² në Shkup dhe në rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut, duhet t’i nënshtrohen kontrolleve nga Instituti Sizmologjik, i cili edhe jep certifikatën përkatëse mbi parametrat sizmik të ndërtesave.
“Sipas procedurave, nëse jepet leja e ndërtimit që parashikon sigurinë nga tërmetet, të ngjashëm me atë të vitit 1963 me 6.1 shkallë të Rihterit, atëherë ndërtesat konsiderohen të sigurta”, u shpreh Memeti. Profesori, shtoi se duhet të kenë kujdes komunat me ndërtimet pa leje të cilat janë pjesa më e keqe e cila mund t’i ndodhë infrastrukturës urbanistike të një qyteti. Ndërsa inxhinieri i ndërtimtarisë Shkëlqim Miftari, tha se marrja e lejes së ndërtimit në Maqedoninë e Veriut, është e rregulluar me Ligjin për ndërtim ku ceket se kërkesa bazë për marrjen lejes së ndërtimit e cila duhet plotësuar patjetër, është dhe mbrojtja sizmike.
“Por në rastet se kemi ndërtime pa leje përgjegjësia bie mbi inspektoratin për ndërtim në RMV, sepse në Ligjin për ndërtim ku përmenden detyrat dhe të drejtat e inspektoratit neni 131, alineja 1 thotë se personi zyrtar prej organeve shtetërore gjatë fazës së ndërtimit të objektit i kontrollon edhe elementet konstruktive ku për qellim është edhe rezistenca sizmike e objektit. Nga këtu kuptojmë se ligjet në RMV në asnjë mënyrë nuk japin hapësirë të ndërtohet pa leje në vendet tona. Mirëpo ekzistojnë disa lokacione në te cilat ndërtimet dhe mbi ndërtimet pa leje janë atraksion i disa individëve dhe është për të ardhur keq se si nuk merren masa ligjore ndaj të njëjtave kur dihet se ne po vendosim në rrezik jetën e banuesve të cilët nuk janë të vetëdijshëm se si dhe çka është ndërtuar në atë ndërtesë”, shton Miftari.
Për ta ilustruar më së miri këtë, ai huazon një thënie të inxhinierëve të ndërtimit, sipas së cilës ne duhet ta kemi parasysh se mbrojtja e vetme ndaj tërmeteve është ndërtimi i duhur, dhe jo ikja prej tij. Tërmeti nuk mbyt, ndërsa ndërtesa PO!
TËRMETI I VITI 1963 ISHTE MËSIM
Në Maqedoninë e Veriut, para tërmetit të viti 1963 ndërtesat janë ndërtuar pa rregulla për ndërtim sizmik. Ndërsa tani një nga kërkesat themelore për ndërtim është mbrojta sizmike. Ndërtesat duhet të jenë të projektuara në atë mënyrë që gjatë punëve ndërtimore të mos vijë deri te çrregullimi i qëndrueshmërisë mekanik dhe mbrojtjes sizmike. Sot kemi sisteme të ndryshme konstruktive të cilat janë konstruksioni bartës i objekteve. Tani gjatë projektimit parashihet edhe aspekti sizmik, respektivisht ngarkesa horizontale. Duhet të jemi në dijeni se sipas sizmologjisë është e njohur se aty ku ka pasur tërmet sërish do të ketë, mirëpo nuk dihet intensiteti dhe frekuenca.
Ekspertët bëjnë thirrje deri te autoritetet komunale që të kenë kujdes me ndërtimet pa leje por një ashtu kërkojnë që në momentin që japin leje të ndërtimit për ndërtesat e larta të ketë kujdes që të mos i japin lejet e ndërtimit nëse nuk e kanë edhe lejen nga Instituti Sizmologjik i Maqedonisë së Veriut. Në rast të ndonjë rrënimi të ndonjë ndërtesa si pasoj e tërmetet atëherë përgjegjësia bie te inspektorati i sektorit për urbanizëm dhe hapësinor i komunës në fjalë.
INXHINIERINGU ETNIK PAS TËRMETIT TË SHKUPIT
Përveç se kishte ndryshime të mëdha arkitekturore dhe industriale pas tërmetit të vitit 1963, Shkupi ndryshoi edhe përbërjen e vet etnike, kulturore dhe fetare. Autoritetet shtetërore, ndërmorën iniciativa për t’i zhvendosur shqiptarët e Shkupit nga vendbanime e tyre. Katastrofa që goditi Shkupin në vitin 1963, ishte më shumë se një katastrofë urbanistike për vet shqiptarët e Shkupit, për arsye se pushteti i atëhershëm me një dinakëri e shfrytëzoi këtë fatkeqësi natyrore dhe arriti që ta shndërrojë Shkupin, nga një qytet që frymonte shqip, në një qytet me kulturë sllave. Në atë kohë autoritetet shtetërore, përveç përpjekjeve për të rimëkëmbur qytetin, hartuan edhe projekte për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me qëllim ndryshimin e strukturës etnike të popullatës në qytetin e Shkupit. Shkupi, para tërmetit të vitit 1963 ishte me popullsi dominuese nga shqiptarët atë kohë, por menjëherë pas implementimit të këtyre projekteve erdhi largimi i 20 mijë shqiptarëve drejt Kosovës, emigrimi i qindra familjeve drejt Turqisë dhe vendeve të tjera evropiane. Ndërsa një pjesë tjetër u getoizua dhe u vendos në lagjet periferike të Shkupit. Për t’i zëvendësuar këtë popullatë shqiptare që ishte shpërngulur nga Shkupi, autoritetet e atëhershme sollën popullatë maqedonase nga Maqedonia e Egjeut dhe nga pjesë të tjera të Maqedonisë dhe rajonit. (koha.mk)