Tiranë, 28 nëntor – Numri i viktimave nga tërmeti katastrofal, i cili mëngjesin e 26 nëntorit e goditi Shqipërinë, është rritur në 46-të. Nën rrënojat e shtëpisë së tyre në rajonin Këneta, janë nxjerrë katër trupa të pajetë nga familja Lala. Viktimat janë tre fëmijë (dy binjakë) Dionis dhe Dionisa, vëllau i tyre Emilio dhe nëna e tyre Mirjeta (31). Pamjet kanë qenë të dhimbshme. Janë gjetur nën përqafimin e nënës së tyre. Nga kjo familje paraprakisht u nxjerr trupi i pajetë edhe të një anëtari tjetër të familjes.
Aksionet e shpëtimit kanë përfunduar në Thumanë dhe tek ndërtesa gjashtëkatëshe në Durrës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Spitalin e Durrësit dhe Klinikën e traumatologjisë në Tiranë, trajtim mjekësor kanë marrë 790 persona
“Për momentin janë 62 të lënduar, gjendja e të cilëve është stabile, me përjashtim të tre personave të cilët ende janë në trajtim intensive, në gjendje të rëndë në Klinikën e traumatologjisë. Krahas qytetarëve të cilët mjekohen në spitale, janë kryer edhe gati 900 vizita mjekësore të personave të prekur nga tërmeti. Mjekët pranë tyre janë 24/7”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Shërbimi urgjent kombëtar, gjatë periudhës së fundit është përgjigjur në 4.411 thirrje për ndihmë nga momenti i tërmetit e deri sot. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore në afërsi të vendeve të prekura janë në gatishmëri të plotë. Ndryshe, nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar se në terren gjenden pesë mijë pjesëtarë të Ushtrisë shqiptare, policisë, mjekëve, infermiereve, të punësuarve në pushtetin lokal dhe vullnetarë.(koha.mk)