Qefser ABDYLI
Shkup, 25 janar – Shumë familje në Maqedoni, përveç urisë që është mysafire e përditshme, tani kanë edhe një problem tjetër, të ftohtin, shkruan gazeta KOHA. Varfëria më së shumti po rëndon familjet sociale, të cilat në kushte minimale kalojnë jetën e tyre duke arritur që ti sigurojnë vetëm gjërat elementare të jetesës. Me këto probleme sfidohet edhe familja Veliev nga lagjja e Butelit, e cila jeton në kushte të rënda, vetëm në një dhomë. Ata tani jetojnë në shtëpinë e vëllait, pasi shtëpia e tyre edhe ashtu e dërmuar, është bërë e pabanuar nga tërmeti. Kjo ua rëndon edhe më tepër jetën. Ata thonë se që nga tërmeti i muajit gusht të vitit të kaluar jetojnë vetëm në një dhomë, pasi tërmeti gati sa nuk ua rrënoi tërë shtëpinë. I zoti i shtëpisë, Sheval Veliev, thotë për KOHA se tërmeti është sëmurë dhe më nuk punon dhe është i paaftë për punë. Përveç ndihmës sociale prej 2800 denarëve, kjo familje nuk ka të ardhura tjera. “Jetojmë pesë anëtarë vetëm në këtë dhomë, por as kjo dhomë nuk është e jona, është e vëllait i cili për momentin nuk jeton këtu. Shtëpia jonë u shkatërrua prej tërmetit, kjo dhomë që jemi tani është e ftohtë, të them të drejtën as dru s’kemi patur për t’u ngrohur”, thotë Veliev. Ai më tej ankohet se nuk ka shkuar askush t’i vizitojë dhe të interesohet për gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë. “Askush s’ka ardhur as të na sheh se në çfarë kushte jetojmë. Menjëherë pas tërmetit kemi bërë lutje në Komunën e Butelit të vijnë ta shohin shtëpinë, por kot. Na thanë që as nuk jeni në rend ju, se jemi duke u marrë me zonat e vërshuara. Prej atëherë më nuk i kemi thirrur”, tregon i mllefosur Veliev. Sheval Veliev përveç se është vetë i sëmurë, ai e ka dhe nënën e sëmurë, e cila nuk mundë të ecë. Përveç shoqatës “Kalliri i Mirësisë”, kjo familje nuk u ndihmua nga askush tjetër. “Na vizituan shoqata ‘Kalliri i Mirësisë’, dhe na ndihmuan. Ju falënderohemi pa masë, ata na sollën ushqim, mjafton sa për këto dy fëmijë. Vajzën e kam në shkollë edhe asaj i sollën çantë shkollore dhe kush ka mundur i kanë dhënë fletore, libra dhe mjete tjera shkollore”, theksoi Veliev. Bashkëshortja e Shevalit thotë se qe dy vite nuk kanë mundur të marrin ndihmë sociale nga shkaku i certifikatës së djalit. “Tani kemi filluar të marrim ndihmë sociale, edhe atë 2800 denarë, ka dy vite që nuk kemi marrë për shkak se kur më lindi djali ne e dërguam për t’ia rregulluar certifikatën e lindjes. Na thanë se do ta rregullojmë, ata as nuk e kishin pas rregulluar, ndërsa ne vazhdonim të merrnim ndihma sociale. Dhe shkaku i kësaj dy vite nuk morëm ndihmë sociale, dhe më e keqja, na thanë t’ua kthejmë 17.000 denarë që i patëm marrë ndihmë sociale, thotë ai. Duke menduar që na e kanë rregulluar certifikatën, na thënë se pa e kthyer borxhin nuk do të mundë të marrim kurrë ndihmë sociale. Ne u detyruam të hyjmë borxh dhe tua japim për t’i marrë vetëm 2800 denarë. As që na dalin këto para vetëm te mjeku për burrin dhe po shkojnë për një ditë”, thotë gruaja e Shevalit. Gjithashtu, ajo thekson se edhe vet prej të këqijave në familje ishte në depresion për dy vite. “Nga pamundësia për t’ia plotësuar kushtet vajzës dhe prej të këqijave në familje që na ndodhën, ku burri ishte pa punë, vjehrra e sëmurë, rashë në depresion për dy vite rresht dhe as kam mundur të ngrihem nga shtrati. Shkoja në mjek, më thonin nuk ke gjë. Më vonë më thanë që jam në depresion. Tani jam mirë, por sa u shërova unë, burri tash është i sëmurë”, thotë bashkëshortja e Shevalit. Ata bëjnë apel tek të gjithë qytetarët që kush ka mundësi të ju ndihmon së paku një dhomë ta rregullojnë. “Kush do, kush ka mundësi, të na ndihmojë. Mjafton një dhomë ta rregulloj, të dal në shtëpinë time, fëmijët ta bëjnë gjumin rehat. Kjo na mjafton neve”, tha mes tjerave zonja Veliev.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.