Rrëfimet për tërmetin e kobshëm që me 26 korrikut të vitit 1963 e goditi Shkupin, nga këndi i një shqiptari janë të rralla. Ndonëse kanë kaluar 55 vite nga ajo ditë tragjike, gazetari, Naxhi Ndoci, ndryshe një banor i vjetër i Shkupit, vazhdon ti kujtoj pamjet e errët të ditëve të para pas tërmetit.
Omer Xhaferi
Shkup, 26 korrik- Sot Shkupi shënon një jubile, por me përmbajtje tragjike. Sprovat dhe fatkeqësitë natyror historikisht e kanë shoqëruara qytetin e Shkupit. I tillë është edhe tërmeti katastrofal i 26 korrikut të vitit 1963. Kujtimet e freskëta për mëngjesin e kobshëm të 26 korrikut të atij viti ende i rruan Naxhi Ndoci, një shkupjan i vjetër, ndryshe i njohur si gazetar dhe publicist. Pavarësisht se kanë kaluar 55 vite nga ajo ditë e rëndë për Shkupin dhe banorët e tij, Ndoci edhe pse i i ka kaluar 80 pranvera, shprehet se ditë më të dhimbshme se ajo ende nuk ka përjetuar. Tragjedia e cila e kishte kapluar atë kohë Shkupin, si në pjesën materiale, po ashtu edhe në atë njerëzore, kishte ndikuar në mobilizimin e plotë të shteteve të fqinje dhe atyre perëndimore. Fatmirësisht siç shprehet Ndoci, valët e këtij tërmeti të paparë deri atëherë nuk i kishin shkaktuar viktima në familje. Edhe pse në të gjithë rajonin e Shkupit, ishin regjistruar gjithsej 1071 të vdekur dhe qindra të plagosur. “Familjarisht 55 vite më parë kemi qëndruar në lagjen e Dyqanxhikut. Shtëpinë e kemi pasur në hapësirën ku tash funksionon Shkolla fillore “Jashar Bej Shkupi. Për dallim nga ndërtimet e larta dhe të forta që ekzistonin në pjesën jugore të Vardarit, në lagjet e Shkupit të vjetër dominonin shtëpitë e moçme. Objektet më të larta ishin ato prej përdhese dhe një kat sipër. Përveç shpirtit të njeriut, ai tërmeti tej mase e dëmtoi edhe vetë qytetin e Shkupit. Pjesa e vjetër e qyteti pësoi dëme më të mëdha se pjese e re. Ditët e para pas tërmetit i kujtoi si ditë të zymta. Uji nuk pihej. Rryma nuk kishte. Në çdo cep kishte gërmadha nga dëmet e shtëpive. Pas asaj dite dridhjet e tokës vazhduan edhe më tej, megjithatë me një shkallë më të ulët. Mbaj mend se mbi 90 lëkundje ishin regjistruar në fund të korrikut të vitit 1963”, thekson, Ndoci për gazetën KOHA.
SHKUPI I VJETËR U DËMTUAN MË TEPËR NGA TËRMETI I 1963
Rindërtimi dhe zhvillimi i qytetit të Shkupit, pas 26 korrikut të vitit 1963, kryesisht është përqendruar në anën e djathtë të lumit Vardar dhe lagjet periferike të saj. Bashkëbiseduesi ynë Naxhi Ndoci, thotë se shumë shtëpi dhe objekte pas tërmetit nuk u rindërtuan. Si pasojë e dëmeve që i shkaktoi tërmeti, autoritet e shtetërore të asaj kohe kishin vendosur rrënimin dhe jo revitalizimin e shumë objekteve kulturore. ”Kalaja u dëmtua më tepër. Ashtu e mbaj mend. Më pas u ndërtuan muret përreth. Njëkohësisht një Komision i themeluar për vlerësimin e dëmeve i vizitonte shtëpitë nëpër pjesën e vjetër të qytetit. Detyrë e tij ishte të konstaton se cilat objekte duhet të riparohen dhe cilat të rrënohen plotësisht. Besoj se këtu është bërë një padrejtësi. Një numër i konsiderueshëm i haneve dhe xhamive pas tërmetit dhe viteve që vijonin u rrënuan. Kësisoj dëme të mëdha pësoi edhe Çarshia e Shkupit, gjegjësisht zhdukja e lagjes së hebrenjve dhe shumë objekteve tjera ndodhën pikërisht pas tërmetit. Një mëhallë e tërë, me objekte të vjetra kulturore dhe historike u zhduk edhe nën lagjen e Sahat Kullës, respektivisht kompleksi i sotshëm i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, qëndron mbi themele të shtëpive shqiptare. Përderisa nga ana djathtë e Vardarit dëme më të madhe pësoi Stacioni i Hekurudhave, shtypa shkronja e gazetës ‘Nova Makedonija”, nga ku edhe botoj gazeta “Flaka”. Njëkohësisht dëme të mëdha pësoi edhe objekti i ‘Shtëpisë së Oficerëve’, që qëndronte buzë lumit Vardar”, kujton, Ndoci.
FSHATRAT SHQIPTARE PËRRETH SHKUPIT E RUAJTËN IDENTITETIN KOMBËTAR
Me ndihmën dhe donacionet e shteteve si Franca, Gjermani e Amerika, pas tërmetit të vitit 1963, në Shkup janë ndërtuar 18 vendbanime të përkohshme. Ngritja e tyre sipas gazetarit Naxhi Ndocit, ndodhi në pjesën periferike të Shkupit. Mungesa e kushteve elementare për jetesë ka qenë arsye që shumë banorë të Shkupit, në këtë rast shqiptar të emigrojnë drejtë Kosovës dhe Turqisë.”Realisht emigrimi i shqiptarëve të Shkupit, para dhe pas tërmetit në masë të madhe e ka rrezikuar ekziston e etnisë tonë në këtë qytet. Mirëpo, më meritor se pse shqiptarët vazhdojnë të ekzistojnë në Shkup janë fshatrat përreth. Me kalimin kohës, shumë banor të atyre fshatrave u shpërngulën në lagjet e vjetra të Shkupit. Në këtë mënyrë përsëri u rikthye jeta dhe gjallëria nëpër këto lagje, përfshi tregun e çarshinë”, tha, Ndoci. I pakënaqur me gjendjen aktuale të Shkupit, Ndoci mes tjerash shton se gjeneza e problemit për mos zhvillimin e pjesës së vjetër të këtij qyteti qëndron pikërisht në planet urbanistike dhe interesin e institucioneve pas tërmetit të vitit 1963.