Më habit fakti që theksohet ndihma që i japim njëri-tjetrit. Aty do jemi sa herë që të ketë nevojë. Por këtë e vënë në dyshim ata që sulmojnë esencën tonë. E sulmojnë të ndryshmen tonë, si një dobësi, kurse ne e kemi forcë. I sulmojnë dallimet tona, i shfaqin si përçarje, kurse ne i kemi vlerë. E sulmojnë fenë tonë, si kundërthënëse, kurse ne i kemi prehje të fortë, të gjitha e sëbashku. I sulmojnë traditat tona që ne i kemi të një. E sulmojnë gjenezën tonë, që na bën këta që jemi. Tërmeti në fakt këta duhet të zhdukë
Nga Nazim RASHIDI
Sigurisht që e gjithë vëmendja është në Shqipëri. Sigurisht që të gjithë janë atje me sy, veshë, mendime, lutje dhe ndihma. Për më habit, evidentimi i këtyre veprimeve. Më habit, pa fund.
Si ka mundësi, që të vihej në dyshim ndihma dhe kujdesi që do shprehej. Si ka mundësi të nënvizohet e stërtheksohet gjesti dhe akti që është më normali në botë. Veprimet e tilla, janë njerëzore, thelbësisht njerëzore por edhe emocinalisht, deri në palcë emcionalisht që vinë nga lidhjet me njëri-tjetrin. Por dyshimi për veprimet e tilla, ka ardhur nga ca prirje e tendenca sa të brendshme e të jashtme që vazhdimisht sulmojnë esencën e të qenit një, e shqiptarë, pavarësisht se jemi rritur e zhvilluar veçmas e të ndarë. Një pamje do të veçojë nga tragjedia që po ngjet në Shqipëri. Një fotografi që krahasonte ardhjen e refugjatëve nga Kosova që kërkonin ndihmë nga Shqipëria. Dhe sot. Ardhjen e ushtrisë së Kosovës që vinte për t’i dhënë ndihmë Shqipërisë.
Në fakt, nuk duhet shkruar më shumë. Aq. Pamja e tregon të tërën. Aty do jemi sa herë që të ketë nevojë. Por këtë e vënë në dyshim ata që sulmojnë esencën tonë. E sulmojnë të ndryshmen tonë, si një dobësi, kurse ne e kemi forcë. I sulmojnë dallimet tona, i shfaqin si përçarje, kurse ne i kemi vlerë. E sulmojnë fenë tonë, si kundërthenëse, kurse ne i kemi prehje të fortë, të gjitha e së bashku. I sulmojnë traditat tona që ne i kemi të një. E sulmojnë gjenezën tonë, që na bën këta që jemi.
Tërmeti në fakt këta duhet të zhdukë. Sepse e gjitha që ngjet, tregon e vërteton të kundërtën. Ti tundë duhet tërmeti ata që me lehtësi i falen, e luten, e i lëpihen interesave që s’janë tonat e të përbashkëta. Ata duhet të pastrojë tërmeti, dhe të kthjellojë se të qenurit bashkë e një kështu duket.
Nuk është patetizëm kjo që shkruaj. As emocional nuk jam. Në fakt, gjendjet të rënda të mobilizojnë e të shtrëngojnë deri në dhimbje por të kthjelltësojnë. Plotësisht i kthjellët them tërmeti duhet të heqë dyshimet, për të ndryshëm mes nesh, apo për identitet të ndryshëm, apo trajtesa të tjera që përçajnë. Shpesh të nxitura e të paguara nga të huajt. Çdo gjë që na dallon na pasurën, në atë të përbashkëtën tonë aq rë fortë. Ta mësojnë më ata që e dyshojnë. Prandaj më habit habia e tyre, për solidaritetin aq normal. Pamja tjetër që ngul deri në themele e përtej të asaj sa ndjejmë sot që jemi një, ishte ajo e një të varfëri, shitësi të krem bananeve në Prishtinë, që priste në radhë dhe dhuroi 5 euro. Me ato 5 euro do ushqente fëmijët e familjen, por priste në radhë dhe i dhuroi.
Ato 5 eurot, janë ato 5 milion gozhdët dhe hekurat e armaturës së dëshmisë se solidariteti s’ka munguar e s’do mungojë për të qenë pranë njëri-tjetrit.
Varfëria nuk ishte problem kur shqiptarët në Shqipëri pritën ata të Kosovës gjatë luftës. Të njëjtat pamje e dhimbje shprehen e sot. Por pse dyshimi apo dhe çudia se kjo po ndodh sërish? Sepse veç përçarësve fetarë, fanatikëve e gjepolitikës tendencioze edhe politika na ka lodhur me ndarjet e interesat e saj. Sepse më shumë flitej për dallimet dhe mosdurim mes klasës politike se sa për mendimet reale të njerëzve. Sepse vetëm pak ditë para tërmetit shpjegohej e ndryshmja mes nesh me aq pasion sa mendoje se flitej për popuj të tjerë. Por ja dëshmia e unitetit.
Më vjen keq, që po vjen në momente dhimbjeje. Dhe po më vjen keq që po bashkohemi në situatë emergjente. Por tërmeti do të kalojë. Do të fillojë jeta e do fillojë dhe rindërtimi. Do mbesë mungesa e atyre që ikën, familjarët do qajnë humbje e tyre.
Por ne, çdo bëjmë më pas? Do na ikë euforia? E para, s’do duhet më të theksojmë të përbashkëtën. S’ka kuptim. Kjo dihet. Është ditur. Ta mësojnë ata që e kanë dyshuar. Por më e rëndësishmja, pa patos, e pa eufori, pa nacionalizëm e pa rrëmbimin e momentit, duhet të ridimensinohet bashkëpunimi shqiptar për shekullin e 21. As duke mbajtur kokën prapa, nuk shkojmë dot përpara, e as duke parë poshtë tek humbjet e rënda që kemi pasur në vazhdimësi. E gjitha kjo duhej më të na kishte mëshuar. Por sërish, përpara shkohet me bashkëpunimin të ri, me bashkëpunimin e shekullit të ri. E kjo bëhet me institucione e strategji, që nuk i mungojnë shqiptarit sot. Bëhet me mend, teknologji e vizion të ri. Në çdo 28 nëntor këto duhen diskutuar e folur. Ky është i dhimbshëm. Por ja po na rithekson bashkimin e tani duhet parë të ardhmen.
Nga e kaluara kemi mësimet, nga e tashmja përvojën dhe veç duhet me frymën e kësaj dhimbje të fundit, a dhimbje pa pas plot shqiptari, të shkohet përpara. Në vizione qartësisht të trasuara, jo kundër tjerëve, as për inat, por për vete e për zhvillimin e përbashkët. Që mos ketë më dyshime bajate e të nxitura nga interesa të huaja, por mu ashtu siç e ka thënë Migjeni tek “Të birtë e shekullit të ri”, “s’duem me humbënë lojë të përgjaktë të historis njerzore… duem ngadhnim”, sepse jemi “vllazën të lindun e të rritun në zi, e kur ti ngllo i çast’ i ynë i mbramë edhe fatlumë, ditëm me thanë: S’duem me humbë”.
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot –
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtRejtë t’u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore –
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S’duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis –
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.
Migjeni
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)