Tetë ditë më parë vendosi të rikthehet aktiv në futboll, duke firmosur me skuadrën e Veronës pas një viti pushim, por sot sulmuesi Antonio Cassano ka vendosur të ndërpresë këtë aventurë, madje të tërhiqet përfundimisht nga sporti. Fantazisti 35-vjeçari nga Bari ka vendosur krejt papritur që të ndërpresë marrëdhënien, pa dhënë asnjë arsye zyrtare, gjë të cilën pritet ta bëjë sot pasdite, kur ka deklaruar se do të mbajë një konferencë për shtyp.
Burime pranë lojtarit thonë se ky vendim ka ardhur për motive familjare, pasi ndien shumë mungesën e familjes. Duket se Cassano nuk ka duruar dot kaq gjatë larg familjes, ndaj është tërhequr nga skuadra, duke i thënë ndoshta përfundimisht “lamtumirë” futbollit si lojtar. Më 10 korrik, sulmuesi firmosi një kontratë 1-vjeçare me Veronën, me të cilën luajti edhe një ndeshje miqësore, por sot vendosi të largohej. Ndoshta ky mund të jetë fundi i karrierës sportive për Antonio Cassano.