“Asnjë nuk mund të qëndrojë në majën e Everestit dhe të jetojë aty”… E firmosur… Joseph John Cole! Djaloshi që gjatë gjithë karrierës së tij nuk kishte turp të pastrontë këpucët e futbollit, pasioni i tij i vetëm, edhe pse kur i ati e braktisi në moshën 4 vjeç, duke u adoptuar nga bashkëshorti i ri i nënës së tij, mendoi se jeta mund të ishte e pashpirt në disa raste.
U rrit në Londër, te West Ham, aty ku la shpirtin dhe zemrën, por sidomos emrin e tij. I lindur në 8 nëntor 1981 në Padington, nisi të shkollohej nga 6 vjeç në Somers Taun. Një zonë e lidhur me letërsinë, ku ka jetuar Charles Dickens dhe ku lindi Mary Shelley, autorja e librit të famshëm “Frankenstein”.
Talent i jashtëzakonshëm, aq sa “detyroi” një si Steven Gerrard që të pranonte: “E kam parë me vëmendje, në teknikë i afrohet Lionel Messit”. Por, në karrierën e tij mes shumë skuadrash, nga Chelsea te Liverpool, nga Lille te Aston Villa, por edhe kombëtarja e “Tre Luanëve”, nuk mundi ta shfaqte gjithë këtë potencial.
Probleme në sy, që e detyruan të luante me lente që në kohën kur u transferua në “Stamford Bridge”, ndërsa më pas refuzoi Tottenham, sepse pas 7 vitesh me blutë, nuk mund të vishte një tjetër fanellë… londineze.
Në qytetin e Beatles nuk thuri “asnjë varg” të denjë për të konfirmuar pritshmërinë dhe u largua pa zhurmë, duke rinisur gjithçka nga Franca, ku te Lille do të zhgënjente sërish. Rikthim në Angli, mes huazimesh dhe paraqitjesh të lëkundura.
Mendimi për të lënë futbollin nisi të “ziente” në mendjen e tij që 30 vjeç, por thirrja e Coventry, në ligën e dytë angleze, pra kategoria e tretë, e tërhoqi, për të marrë më pas avionin dhe kaluar Oqeanin, në Florida, me Tampa Bay…
Sot, 13 nëntor 2018, këpucët e tij varen në gozhdë. Mund të ishte bërë i madh, vendosi të ishte i mesëm…