Mbështetje të fuqishme KSHC-së i ka dhënë edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili në një paraqitje para gazetarëve, ditë më parë, tha se një kolegji ISPE ka tentuar të shantazhojë Këshillin Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim lidhur me vendimin e tyre të fundit për tërheqjen e akreditimeve të shumë programeve nga institucionet private dhe publike të arsimit të lartë. Mbështetje po ashtu ka dhënë edhe ORCA, organizatë kjo më e madhe për monitorimin e cilësisë së fakulteteve në Kosovë
Prishtinë, 8 gusht – Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në mbledhjen e fundit shqyrtuan programet e suspenduara të Bartësve Privat të Arsimit të Lartë për plotësimin e kritereve lidhur me stafin akademik të programeve për programet e studimit ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Akreditim të institucioneve të arsimit të lartë.
Pas trajtimit të gjendjes së stafit akademik dhe programeve të paraqitura nga 14 universitete private, mori vendim për tërheqjen e akreditimit për 63 programe studimore, të cilat nuk plotësojnë kriteret e parapara sipas Udhëzimit Administrativ për Akreditim dhe legjislacionit në fuqi. KSHC njofton institucionet e arsimit të lartë se në muajin shtator të këtij viti, do të verifikojë dhe shqyrtojë angazhimin e gjithë stafit akademik të programeve të studimit, për programet që kanë akreditim.
KSHC njofton gjithashtu se të gjitha programet e studimit, do të trajtohen në përputhje me kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin të institucioneve të arsimit të lartë, Neni 26, Pika; 5.3.4, i cili përcakton: “Për çdo 60 ECTS kredi të programit të studimit, institucioni duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD apo titull të barasvlershëm artistik nga fusha e programit të studimeve”.
KSHC po ashtu diskutoi komentet e paraqitura lidhur me Manualin e Akreditimit si dhe aprovoi standardet dhe udhëzuesit e rijnë të AKA-së.
Në ndërkohë, mbështetje të fuqishme KSHC-së i ka dhënë edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili në një paraqitje para gazetarëve, ditë më parë, tha se një kolegji ISPE ka tentuar të shantazhojë Këshillin Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim lidhur me vendimin e tyre të fundit për tërheqjen e akreditimeve të shumë programeve nga institucionet private dhe publike të arsimit të lartë.
Mbështetje KSHC i ka ardhur edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), organizatë kjo më e madhe për monitorimin e cilësisë së fakulteteve në Kosovë.
“ORCA është duke e monitoruar nga afër në 3 mbledhjet e fundit punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe çdo vendim të deritashëm të tij ORCA e konsideron në përputhje me ligjet dhe rregullativën në fuqi. Është për tu lavdëruar pozicioni i ashpër i ministrit ndaj tentativave të tilla të cenimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ndërsa i bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike apo politikanëve që mund të kenë lidhje me institucione të arsimit të lartë në vend, të tërhiqen nga format e presioneve pasi të gjitha presionet do të luftohen e demaskohen publikisht dhe aktivisht edhe nga ORCA në të ardhmen. Rikujtojmë po ashtu se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është zgjedhur në mënyrë jashtëzakonisht transparente: që nga hartimi i rregullave për përzgjedhjen e anëtarëve të tij, pjesëmarrjen e shoqërisë civile në komisionin përzgjedhës e deri te vendimi i kuvendit të Kosovës me 76 vota, që përbën një rast të rrallë të vendimmarrjes në Kuvendin e Republikës”, thuhet në mbështetjen e ORCA-s për KSHC-në..