Tërhiqen paralele me SHBA-në, pas vrasjes së palestinezit me autizëm nga policia izraelite

57

Kujdestarja e një palestinezi të paarmatosur dhe me autizem, i cili u vra nga policia e Izraelit, ka thënë se vazhdimisht dhe disa herë ka paralajmëruar policinë se viktima ishte me nevoja të veçanta para se ta vrisnin, rast i cili ka ngjarë shumë me dhunën e policisë në SHBA ditëve të fundit.

Trupi i Iyad Halak, 32 vjeç, u varros të shtunën mbrëma. Ishte vrarë një ditë më parë, ku thuhet se u hutua për shkak britmave të policisë dhe nga paniku kishte ikur për tu fshehur prapa kontejnerëve të mbeturinave, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA.

Policia e Izraelit në një deklaratë ka thënë se kishin “vërejtur një te dyshuar me një send të dyshimtë që dukej si pistoletë. E thirrën që të ndalet dhe filluan ta ndjekin. Gjatë ndjekjes, ata hapën zjarr drejt të dyshuarit, i cili u neutralizua”, u tha në deklaratë.

Ëarda Abu Hadid, kujdestarja e Halakut, u tha mediave izraelite se ishte përpjekur që ta paralajmërojë policinë se viktima ishte me autizem të rëndë dhe se nuk i kuptonte thirrjet e tyre.

“Është me zhvillim të vonuar”, kishte thirrur ajo. “Pritni, shikojani letërnjoftimin, shikojani dokumentet”.

“Përnjëherë, gjuajtën tre herë drejt tij, para syve të mi”, u ka thënë ajo gazetarëve.

“Bërtita: Mos e vrani, mos e vrani. Nuk dëgjuan, nuk deshën të dëgjojnë”.

Pasi që kishin gjuajtur Halakun, ajo tha se policët kishin drejtuar armët drejt saj. “Erdhën tek unë me armë dhe thanë: ‘Na jep armën që ta dha ai’”.

Gjatë një proteste të vogël në Izrael dhe Palestinë, njerëzit mbajtën shenja ku shkruante “Jetët palestineze vlejnë”, referencë ndaj lëvizjes së ngjashme në SHBA, për jetët afro-amerikane.

Halak kishte qenë rrugës për në Institutin e Edukimit në pjesën e vjetër të Jerusalemit, ku po shkollohej. Shpejt pas vrasjes, policia bastisi shtëpinë e familjes së tij.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përmendi vrasjen, gjatë një takimi të kabinetit të dielën, por Ministri i Mbrojtjes Benny Gantz kërkoi falje për incidentin dhe tha se çështja do të hetohet.

Comments are closed.