Kryeministrja britanike Tereza Mej pas takimit në Uashington me presidentin amerikan Donald Tramp sot do ta vizitojë Ankaranë, me qëllim të përforcimit të marrëdhënieve britanike-turke para daljes së planifikuar të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.
Mej do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe me kryeministrin Binali Jëlldërëm, për dallim nga liderët e tjerë evropianë të cilët nuk janë shumë të prirur ta vizitojnë Turqinë pas spastrimeve të mëdha, të ndërmarra nga autoritetet pas tentimit të pasuksesshëm për puç në 15 korrik të vitit të kaluar.
Turqia, e cila zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në BE, e konsideron Londrën si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të saj në Union. Por, referendumi për bregzit në vitin 2016 e privoi Ankaranë nga ajo aleancë e saj dhe tani të dy vendet tentojnë të krijojnë dinamikë të re në raportet jashtë BE-së.
Duke marrë parasysh atë se Mej planifikon të tërheqë Mbretërinë e Bashkuar nga tregu i vetëm evropian, Londra tani është e etur për lidhje të marrëveshjeve tregtare me partnerë jashtë Unionit.
Tema kryesore të vizitës së Mej në Ankara do të jenë përforcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe vendosjen e marrëdhënieve të reja tregtare.
Sipas të dhënave të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme këmbimi tregtar ndërmjet të dyja palëve arrin mbi 16 miliardë dollarë në vitin 2015.