Vjollca SADIKU
Dibër, 19 janar – Dibra dhe dibranët gjatë historisë kanë dhënë shumë personalitete të shquara për kauzën kombëtare. Gjatë historisë, dibranët me sukses morën pjesë në themelimin e shtetit shqiptar, në luftëra të ndryshme kundër okupatorit, por njëkohësisht dhanë edhe shumë personalitete kombëtare, të cilët kanë kontribuar për çështjen kombëtare. Edhe tani, kur më shumë se gjysma e dibranëve jetojnë në mërgim, ka personalitet të cilët vazhdojnë të kontribuojnë për kombin. Një nga ta, është edhe Ibrahim Egriu, atdhetar i shquar, i cili si arsimtar, gazetar, dhe publicist ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për kauzën kombëtare në shtete Skandinave.
Arsimtari dibran, Ibrahim Egriu, viteve të 80-ta pati një shtegtim të imponuar nga rrethanat e kohës nga Dibra për në shtetet europiane. Presionet politike të kohës, detyruan atë së bashku me familjen pas një kohe të shkurtër të vendosjes së tij në Zvicër, të migrojë në Suedi. Atje, ai jeton edhe sot së bashku me familjen e tij. Tre dekada, ai edhe pse është larg vendlindjes – Dibrës, vazhdon aktivitetet e tij në përkrahje të kombit. Ibrahimin, ditë më parë e takuam në Malme. Ai gëzohet kur sheh çdo dibran i cili e viziton atë në qytetin ku aktualisht jeton. “Pas ardhjes sime në Suedi, u vendosëm në qytetin e bukur të Malmes. Vazhdova profesionin tim të mësuesit dhe mes nxënësve të ardhur me familjet e tyre në mërgim, kemi bërë gjithçka që duke i arsimuar këta nxënës shqiptar të dinë dhe të shkruajnë gjuhën tonë të bukur”, thotë bashkëbiseduesi ynë. Ai në Malme bëri një dritare dije të shpresës, meqë ishte një vullnet shpirtëror që të arsimojë fëmijët shqiptar, por edhe të shkruante libra, përpilonte tekste mësimore, e më vonë edhe të hap një radio në gjuhën shqipe. Mes shqiptarëve në Suedi, Ibrahimi njihet si intelektual dhe patrioti i cili në asnjë moment nuk rri anash kur është në pyetje çështja kombëtare. Ai kujton vitin e parë të ardhjes në Malme dhe lagjen Rosengard të Malmes, ku kryesisht jetonin të huajt. Së bashku me bashkëshorten e tij, Mensuren, qysh në ditët e para ka filluar aktivitetet dhe takimet me mërgatën e shumtë shqiptare nga të gjitha trojet etnike. Ibrahimi, mes tjerëve na thotë, “kam lindur në vitin 1939 në Maqellarë të Dibrës. Sikur rritesha ashtu kuptova se vetëm dituria ka mundësi të shpëtojë personin, por edhe kombin nga problemet që kanë qenë në shoqëri. Gjithmonë e kam dashur gjuhën ton të bukur, prandaj edhe u bëra arsimtar. Në vitin 1979, për Radio Televizionin e atëhershëm realizuam katër drama të mia, me të cilët u trondit edhe Shkupi. Kujtoj komentin e atdhetarit Jusuf Gërvalla, i cili me plot dashuri tha se këto drama kanë një efekt të mëdha për kombin shqiptar. Në një bodrum në Suedi dhamë betimin se do të përpiqeshim me të gjitha forcat që të ndihmojmë në të gjitha drejtimet. Ai shton se u hap pikërisht në këtë objekt radioja e parë në gjuhën shqipe, në të cilën prezantoja informatat në interes të kombit, edhe atë në gjuhën shqipe. Pas një kohe, shton ai, u angazhova edhe në organizatën Lidhja Shqiptare në Botë. U zgjodha edhe kryetar për shtete Skandinave. Nuk ka shqiptar që në Suedi nuk e njeh Ibrahim Egriun. Ai kontakton me të gjithë shoqatat shqiptare në këtë mbretëri Skandinave.
Duke marrë parasysh se numri i nxënësve shqiptar në Suedi viteve të fundit ka qenë mbi disa mijë, arsimtari dibran angazhohet që të publikojë edhe gramatikën suedishte në gjuhën shqipe. “Në shtet Skandinave u shpërndanë tekste shkollore falas në gjuhën shqipe dhe botova dhe shpërndava Gramatikën suedisht”, thotë bashkëbiseduesi ynë. Ai gjithashtu ka botuar edhe një Antologji, e cila po ashtu ka një peshë të madhe kombëtare. Njëherit, intelektuali dibran ka vazhduar aktivitetet e tjera. Në Suedi gjetëm mbështetjen edhe nga Enti shtetëror i arsimit që ka të bëj me botimin e abetares, gjeografisë dhe diturisë shoqërore. Suedia është një shtet demokratik dhe i respekton të gjithë. Shqiptarët në Suedi dhanë kontribut të madh edhe gjatë luftës në Kosovë dhe mes tyre, përkrahja e Ibrahimit, ishte e madhe.
Ibrahimi në bisedën që bëmë në banesën e tij në Malme, thekson se gjithmonë ka përkrahur ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve, ëndrrën shekullore për bashkim të të gjitha trojeve shqiptare. Ky intelektual dhe patriot dibran, thekson se do të vazhdojë të realizojë botime në interes të kombit. Ai kujton edhe dramën et. “Ditëlindja” që u shfaq me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, por edhe botime të tjera që ka realizuar deti tani. Edhe pse jeton moshën e tretë, ai disa orë kalon duke shkruar. Kontributi i tij si gazetar, duke botuar informata, vlerësime dhe komente në shumë media të shkruara në gjuhën shqipe, që editohen në shumë vende të botës, puna e tij në radio, por edhe kontributi i madh në sferën e publicistikës pritet që të vazhdojë. Egriu thekson se edhe këtu në Malme, por edhe kur vjen në Dibër gjithnjë dëshiron që të prezantojë kombin e vet, por njëkohësisht edhe dëshirën për bashkimin kombëtar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.