Mungesa e terapisë krijon te pacienti frikë dhe pasiguri në të ardhmen, siç ka qenë në të kaluarën. Për t’u lejuar qasje më të madhe pacientëve për terapi të reja dhe vazhdimësisë në marrjen e tyre, Dodeva thotë se duhet futur protokolle që sigurojnë një konsensus të qartë për monitorimin e këtyre pacientëve dhe duhet të formohet një strategji që do të përfshinin diagnoza që të përdoren nga pacientët më herët
Delvina KËRLUKU
Shkup, 1 korrik – Mungesa e terapisë dhe e testeve për të diagnostikuar në kohë sëmundjen e kancerit të lëkurës, vazhdon të shqetësojë pacientët. Ky shqetësim është vërejtur edhe nga ekspertët dhe shoqëria civile. Janë afërsisht 500 njerëz të prekur nga kjo sëmundje në Maqedoni, ndërkohë që shoqata “Borka” kujdeset që të jetë më afër pacientëve, shkruan gazeta KOHA. Sipas kësaj shoqate në mars të vitit 2017 kanë pranuar terapi të ashtuquajtur moderne edhe pacientët me metastaza melanoma negative, kurse për herë të parë në qershor të vitit 2016 janë evidentuar pacientët e diagnostifikuar me metastaza melanoma pozitive, të cilët kanë pasur mundësi të marrin trajtim të avancuar përmes një programi të veçantë të Agjencisë së barërave.
Biba Dodeva, kryetare e shoqatës “Borka”, thotë se duhet të shtohen barërat për pacientët me malonoma malinje. Ajo sqaron se vendi është ballafaquar viteve të fundit me faktin se nuk ka strategji për të rritur fondet për furnizimin e terapisë përkatëse për këta. Shqetësimi i pacienteve, por edhe i shoqatës është se ka mungesë të trajtimit, ku edhe nevojiten donatorë, për furnizimin e terapive dhe testeve.
Sipas tyre, një tjetër pikë shqetësuese është se jo të gjithë pacientët bëjnë testimin Braf, dhe se shumë prej tyre nuk janë vendosur për të bërë trajtimin e nevojshëm në bazë të metodave të reja për trajtimin e melanomas. Por, nga shoqata thonë se janë të vetëdijshëm se Klinika e Onkologjisë përpiqet të mos mungojnë barërat dhe për këta pacientë të sigurojnë terapi të rregullt. Mungesa e terapisë krijon te pacienti frikë dhe pasiguri në të ardhmen, siç ka qenë në të kaluarën.
Për t’u lejuar qasje më të madhe pacientëve për terapi të reja dhe vazhdimësisë në marrjen e tyre, Dodeva thotë se duhet futur protokolle që sigurojnë një konsensus të qartë për monitorimin e këtyre pacientëve dhe duhet të formohet një strategji që do të përfshinin diagnoza që të përdoren nga pacientët më herët. Shoqata “Borka” përpiqet që bashkërisht me institucionet shëndetësore të gjejnë zgjidhje sistematike për të plotësuar listën pozitive të barnave, e cila ka qenë prej kohësh e pandryshuar dhe për të bërë zgjidhje afatgjate për problemin me terapi të reja. Doktor Nino Vasev, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, thotë se Onkologjia ka barna të mjaftueshme për pacientët me melanoma, të cilët nuk janë në listën pozitive të barërave. Sipas tij, për pacientët është më e rëndësishme të zbulohet sëmundja në kohë për ta trajtuar atë me sukses. Në diagnostifikimin e sëmundjes duhet të përfshihen mjekët amë, dermatologët dhe mjekët e Klinikës për Kirurgji Plastike për të pasur më shumë pacientë me rezultate të mira. Ai thekson se Maqedonia nuk ka asnjë problem me testimin Braf dhe ky testim është i detyrueshëm. Testimi duhet të bëhet përpara se pacientët të vijnë për trajtim në klinikën e Onkologjisë. (koha.mk)