Një grusht shqiptarë, një furgon me shefa protokolli, të gjithë flasin shqip, shahen shqip, bëjnë thashethemet e protokollistit shqip, ku gjithsecili ka nga një protokoll të gjymtuar, të rremë a të trilluar e të nëpërkëmbur…, protokoll “i pasajdisur nga çarshia” e nga politikëbërësit e mirëfilltë
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur dhe i respektuar! Sa herë që kërkoj idenë për shkrimin e radhës, aq herë bëj përpjekje që prej “fiqirit tim ta largoj a ta shporr”haxhi-babën nga lagjja jonë…, dua ta heq jo se “s’dua t’ia shoh surratin”, jo se nuk ia “pëlqej e nuk ia duroj fjalët ose thirrjet me zë tepër të lartë”, jo se “nuk ia pëlqej nasihatet” a këshillat, jo se “nuk ia pëlqej stilin retorik dhe muhabetin prej gajtani”, jo se nuk ia pëlqej “çallamin”, jo se nuk ia “heq kapelën” për inteligjencën dhe aristokracinë që ka, përkundrazi,sepse sa herë që rastis ta takoj, aq herë më bën a më detyron të “ndihem si analfabetët funksionalë”, më bën të “dukem njësoj si ajo kodra prapa bregut”, më bën të ndihem shumë i vogël, njësoj si ata “kalamajtë e fukarait nga mendja”, më bën të dukem njësoj si pemëshitësi, me të cilin sa herëqë “bën pazare”, aq herë ta mbush strajcën me mollë dhe me tranguj të vendit, gjysmë të kalbur. Dhe, që kur e gjeta me “tamam” idenë, më doli përpara “pelegrinazhi prej myslimani!” dhe aty për aty “ma ndryshoi kryetitullin e shkarravinës!” Lëre që u detyrova t’i jap tjetër titull, por edhe i zëvendësova personazhet që do të dukeshin në vështrimin tim të radhës…, ku ca do të ishin në cilësi të personazhit kryesor, ca të dorës së dytë, disa me energji pozitive dhe të tjerët nëpunës dallkaukë! Në fund, e gjithë kjo përpjekje e tij këmbëngulëse dhe e drejtë, sikur ma “shndërroi shkrimin në “qofte me çervish!” Më tha: “Ore, qerrata, nëse nuk të ka luajtur terezia e kokës, të sugjeroj që këtë vështrim t’ia dedikosh politikëbërjes gjithëkombëtare, futua të gjithë atyre që mëtojnë të hiqen si të parët e shehrit a të katundit, futua edhe atyre që janë dashuruar me inatet e tyre homerike, futja edhe Edvinit të Kristaqit, që e ka kapur për koqesh pushtetin e pakufishëm….Mos ki dert, futja…, sepse edhe ashtu, s’ka njeri që mund të ta fus me a pahir! Ke parasysh, nëse në këtë hapësirë do të kesh edhe pak vend, futja edhe një mikut tim, i cili sabah e aksham, me gojën plot më thotë,pos të tjerash:KyAlbin Kurti, Ramush Hajradinaj, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Vjosa Osmani,Hashim Thaçi, Glauk Konjufca, Shpend Ahmetii Prishtinës, Ilir Meta, Lulzim Basha, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi i Tetovës, Zijadin Sela i Strugës dhe të tjerë politikanë që hiqen si majtistë, djathtistë, si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Miletit, si pushtetarë a opozitarë, si kryeparlamentarë, si president shteti, për mua janë kafshata të vogla, prandaj mund t’ijap vetes luksin e të folurit sipas lëvizjes së gjuhës, madje-madje, shpesh ndoshta pa asnjë kontroll e pa ndonjë ndjenjë shqetësimi të thellë…, nuk e dini ju kush jam unë!?…, kishte përfunduar ky kokëkrisuri dhe leshpunuesi me qëndrim prej mendjemadhi!” Meqenëse haxhi-babës i kishin munguar “haberet” shtesë karshi identitetit të vërtetë të këtij tipi, që hiqet për guximtar e i patrembur në kohë paqeje,kishte qenë i detyruar, t’i parashtronte pyetje ofiqarit të gjendjes civile se cilët janë prindërit e këtij tipi! Për fat të keq, nuk kishte marrë përgjigje, njësoj si tenxherja që nuk e kishte gjetur kapakun prej teneqeje!
Kjo puna e mikut të haxhiut që kritikon, që nëpërkëmbën dhe që sfidon lidershipët e partive politike prej shqiptarësh, pavarësisht se ku frymojnë e veprojnë, pavarësisht se kush është, nga është, se si është,sikur ma kujton drurin që lëshon filiza, por ama që nuk bën fruta, kjo puna e kryepersonazhit të haxhi-babës ma kujton atë meselenë e nipit…, i cili dikur nga kasabaja kishte degdisur te katundi i dajallarëve të kërkojë një qengj të larmë. Dhe dajallarët ia kishin plotësuar dëshirën. Por ama, “nipi axhami prej shehërliu” kishte harruar të kërkojë edhe një zile që do t’i shkonte tamam për qafe qengjit të larmë. Një zile të tillë e kishte blerë në pazarin e evgjitëve…, por ama ishte zhgënjyer këmbë e krye, sepse qengji si qengj i larmë, nuk ishte për atë zile, thjeshtë nuk e meritonte si të tillë! Kjo puna e mikut të haxhiut më sjell ndërmend edhe atë meselenë ditë më parë, kur në kryeqendrën e Kosovës “u bë hataja”, pikërisht në ditën kur politikanët e ndërgjegjshëm duhej t’i binin në gjunjë festës së shenjtë, pikërisht në ditën e dymbëdhjetë vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Kosovës! Edhe përkundër paralajmërimeve të SHEFAVE të PROTOKOLLEVE se kjo festë do të shënohet bashkërisht në një vend, “toptan” nga shqiptarët, “toptan” nga pozita e opozita, nga nënat kosovare, nga familja e Jasharajve, nga çunat e dëshmorëve të atdheut dhe nga të tjerët që kanë hise në këtë trashëgimi të pasur kombëtare. Po, për fatin e keq, kjo nuk ndodhi dhe, lëre që nuk ndodhi, por u konceptua si një “plaçkë tregu”, madje-madje edhe si një luftë brenda llojit për pushtet të SHEFIT të MADH për organizimin e kësaj ceremonie sa humane po aq edhe emancipuese!…, një festë që pa dyshim e meritoi atë urimin shkodran tej mase të çmuar, ku pos të tjerash thuhet: “Se festa e 12-vjetorit është e bukur sa NËNA dhe foshnja e saj e gjirit dhe prej shqiptari, është e bukur sa atdheu i saj, respektivisht sa Shqipëria londineze…!”… dhe nëse vërtet është e bukur, atëherë ti,shef iprotokollit, bëj kujdes dhe mos bjerr në grackën e njerëzve dashakeq…, mos e ushqe dredhinë që pas shpine u kurdiset institucioneve që udhëhiqen nga shqiptarët e Kosovës!
Të shkosh në Tiranë…shefi i protokollit krejt njësoj, të shkosh në Prishtinë, edhe aty përafërsisht e njëtrajtshme, të shkosh në Luginë edhe atje e njëjta monedhë, të degdisësh në Mal të Zi, edhe atje rrëmujë “hesapi”…,nuk mund të lavdërohet as shefi i protokollit edhe këtejpari në Shkup e Tetovë…, janë “toptan” në amulli…, një grusht shqiptarë, një furgon me shefa protokolli…, të gjithë flasin shqip, shahen shqip, bëjnë thashethemet e protokollistit shqip, ku gjithsecili ka nga një protokoll të gjymtuar, të rremë a të trilluar e të nëpërkëmbur…, protokoll “i pasajdisur nga çarshia” e nga politikëbërësit e mirëfilltë…, protokolle këto që u mungojnë epitetet e zgjedhura dhe të merituara! Ç’është e vërteta, festa e dymbëdhjetë vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Kosovës nuk është e as do të jetë ndonjëherë “këna gjexhe”…, siç disa shefa të pandërgjegjshëm për protokoll deshën ta shndërrojnë në “mbrëmje prej kënaje!”
Haxhi-babai dashur! Më ndje, nëse të përgojova! (koha.mk)