TENTIMET E KOTA PËR NËNSHTRIM! Osman Cami, veprimtar i shquar i NDSH-së (5)

53

Është e rëndësishme të theksohet se UDB-a jugosllave vazhdoi ta përndjekë aktivitetin e tij edhe pasi i njëjti u kthye në punë, e cila përndjekje kryhej për motive të njëjta: “veprimtari armiqësore kundër rregullimit shoqëror socialist jugosllav”. Kjo dëshmohet nga raportet dhe informatat e rregullta që ky shërbim i merrte nga bashkëpunëtorët, përkatësisht informatorët, të ngarkuar enkas për ta përcjell veprimtarinë e Osman Camit

Nga Qerim LITA

(vijon nga numri i kaluar)

Përveç M. Camin, UDB-a, akuzonte edhe një figurë tjetër atdhetare shqiptare, Remzi Pustinën, i cili asaj kohe punonte si arsimtar në Normalen Shqiptare “Liria” në Shkup, i cili, siç bëhet me dije, në orën e historisë i paska kritikuar mësuesit “se si nuk janë patriotë shqiptarë” dhe se nxënësit e tyre duhet t’i edukojnë në gjuhën amtare shqipe:

“…Populli nuk është fajtor pse po turqizohet – shprehet Pustina – ju jeni fajtorë për këtë, shumë nga ju do të binit në gjunjë nga kërcënimi dhe metodat tjera, siç disa kanë rënë në gjunjë dhe janë bërë turq. Unë këtë asnjëherë nuk do ta kisha bërë, edhe sikur të më largonin nga detyra, sepse unë jam shqiptarë. Kjo dukuri është si pasojë e patriotizmit të dobët në mesin e mësuesve shqiptarë…”.

Ndërkohë, në pjesën e parë të vitit 1957, me urdhër të UDB-ës, udhëheqja e atëhershme komunale e Dibrës, Osman Camin e përjashtoi nga puna. Burimet arkivore që kemi arritur t’i shfletojmë, provojnë qartë se një masë e tillë u ndërmor për motive politike, përkatësisht me qëllim të “nënshtrimit” dhe “thyerjes” së tij. Mirëpo, kjo masë, sikurse edhe masat tjera të mëparshme, fare nuk e befasuan Camin. Përkundrazi, një akt i tillë, i zbatuar nga ana e pushtuesit komunist jugosllav, për të ishte i pritur dhe krejtësisht normale. “Ne jemi të gjykuar të jemi skllevër të përhershëm – shprehej Cami dhe shtonte – zotërinjtë ndërrohen, por ne mbesim gjithnjë skllevër. Na ndjekin, na nxisin vetëm e vetëm të tregohemi si element antipopullor. Qëllimi i tyre i vetëm është të na përçajnë e të na e bëjnë varrin. Vazhdimisht na qortojnë se duam ta kthejmë të vjetrën. Nuk e kanë të qartë se do të ndodhin ndryshime. Sa më tepër na mundojnë, aq më tepër përforcohemi. Ndaj, ata nuk na duan. Ne jemi rrezik i përhershëm ndaj tyre…”. Bashkëpunëtori tashmë i njohur i UDB-ës “Metak Mali”, më 29 mars 1957, njoftonte oficerin e sigurimit shtetëror maqedonas, për një bisedë të zhvilluar midis tij dhe Camit, ku ky i fundit paska deklaruar se largimi i tij nga puna është kryer për motive politike, përkatësisht për ta detyruar atë t’i nënshtrohet pushtetit:

“Osmani – thuhej në informatë – foli për një shok të tij nga Dibra, me të cilin ka qenë së bashku në burg, emrin e të cilit nuk ma tregoi, se kur është liruar nga burgu pasurinë e tij që e ka pas të trashëguar, ia dhuroi shtetit me të vetmin qëllim që të bëhet i mirë para pushtetit. Më pas Osmani shtoi: ‘Ai, sikurse edhe unë, nuk mund të bëhemi të mirë ndaj shtetit për arsye se kemi qenë të burgosur’…”.

Kthimi i serishëm i tij në punë erdhi gjatë vitit 1960, në kohën kur udhëheqja e atëhershme komuniste jugosllave solli disa konkluzione, përmes të cilëve konstatohej pabarazia e kombësisë shqiptare e asaj hungareze, përkatësisht “joproporcionaliteti i tyre” në organet e pushtetit, administratën shtetërore, organizatat ekonomike etj.. Në lidhje me këtë, Kryesia e KQ të LKJ-së, në pjesën e dytë të muajit dhjetor 1959, lëshoi një letër tepër sekrete deri te drejtuesit e komiteteve republikane e krahinore të LKJ-së, në të cilën kërkohej ndërmarrja e menjëhershme e “iniciativave për përmirësimin e punës në linjën e kombësive”.

Është e rëndësishme të theksohet se UDB-a jugosllave vazhdoi ta përndjekë aktivitetin e tij edhe pasi i njëjti u kthye në punë, e cila përndjekje kryhej për motive të njëjta: “veprimtari armiqësore kundër rregullimit shoqëror socialist jugosllav”. Kjo dëshmohet nga raportet dhe informatat e rregullta që ky shërbim i merrte nga bashkëpunëtorët, përkatësisht informatorët, të ngarkuar enkas për ta përcjell veprimtarinë e Osman Camit, që me këtë rast po i referohemi Informatës që oficeri i sigurimit e pranoi më 28 gusht 1961 nga bashkëpunëtori i tij, ku në të, veç tjerash thuhej:

“…Dje u takova me Osman Camin, nëpunës pranë Shtëpisë së Shëndetit në Dibër. Me të, veç tjerash, bisedova rreth mbajtjes së konferencës së vendeve jashtë blloqeve në Beograd, për çka Osmanit i thash se nga 1 shtatori do të fillojë konferenca e vendeve të painkuadruara, për çka Osmani më tha se nuk ka asnjë peshë dhe se nuk luan as çfarë roli, për arsye se në këtë konferencë, përkundër asaj se do të marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se gjysmë miliardë të popullsisë në botë, mirëpo këto shtete janë shumë të varfra dhe primitive, kështu që ata nuk mund të luajnë as çfarë roli në politikën ndërkombëtare dhe se nga ata popuj primitiv nuk mund të pritet asgjë…”.

Krahas veprimtarisë politike, ai u dallua edhe në veprimtarinë letrare, e cila u shtri kryesisht me dramë dhe poezi. Dramat e tij janë inskenuar nga SHKA “Liman Kaba”, pranë së cilës vepronte seksioni i Dramës. Vepra e tij më e njohur është poema prej 40 faqesh kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me titull: “Epopeja e Skënderbeut”, dorëshkrimi i së cilës është ruajtur me një përkushtim të jashtëzakonshëm nga djali i tij, Fanoli. Në faqen e parë të poemës, autori me disa fjalë të shkurta u drejtohet lexuesve:

“Para jush po ju paraqes një epope të Skenderbeut thurun në frymën dhe stilin e poezive popullore. Pra, po ju prezantohet kjo figurë legjendare e historisë sonë, ashtu siç e ka parafytyruar populli, ashtu siç këndohet në mbrëmjet e gjata të dimnit ose në gëzimet e ndryshme, me thanë thjeshtësinë që kanë ato vargje tue qenë nga nji anë dëshmitar i ngjarjeve të vërteta historike e nga ana tjetër edhe tue futë elemente historikisht të pa vërtetuese me të cilat populli shpreh dëshirën e vetë rreth fatit të disa ngjarjeve për të cilat dëshiron ngadhënjimin….”.

Osman Cami vdiq më 18 mars 1970 në Dibër, në moshën 53 vjeçare.

(Fund)

Comments are closed.