Për vite më radhë kanë ekzistuar mite të shumta në lidhje me parashikimin e gjinisë së foshnjës. Por, tani shkencëtarët thonë se mënyra më e mirë për parashikimin e gjinisë së foshnjës ende të pa lindur është të kontrollosh tensionin e gjakut të gruas shtatzënë. Ato që kanë tension të lartë kanë më shumë gjasa që të lindin djalë, sugjeron studimi i ri. E anasjella gjithashtu është e vërtetë, thonë ekspertët, edhe pse nuk e dinë përse ndodh një gjë e tillë. Hulumtuesit shkencorë nga Spitali Mount Sinai në Toronto vëzhguan nëse tensioni i gjakut kishte një rol në përcaktimin e gjinisë së foshnjave. Në studim u përfshinë më shumë se 1400 gra kineze, të cilat po planifikonin të lindnin një fëmijë së shpejti. Gratë u kontrolluan si në fillim ashtu edhe gjatë shtatzënisë, ku u matën nivelet e tensionit të gjakut, kolesterolit, triglicerideve dhe glukozës. Ata zbuluan se tensioni sistolik i gjakut para shtatzënisë ishte më i lartë tek gratë që kishin djem. Rezultatet e tyre rezultuan të sakta edhe pasi u vëzhguan të dhënat për moshën, edukimin, duhanpirjen dhe indeksin e masës trupore. “Tek njerëzit, gjinia e fetusit përcaktohet nga kromozomi gjinor i spermës fekonduese”, thotë autori kryesor i studimit, dr. Ravi Retnakaran. Sa i përket tensionit të gjakut të nënës para shtatzënisë, është një faktor i panjohur paraprakisht që lidhet me gjasat për të pasur djalë apo vajzë. Megjithatë, ai i frikësohet faktit që këto rezultate mund të jenë problematike, ndoshta edhe të rrezikshme, tek popujt që mund të favorizojnë lindjen e një gjinie më shumë se një tjetër. Këto rezultate mund të shpjegojnë gjithashtu rënien në numrin e lindjes së djemve në shtet me mënyrë jetese të shëndetshme.