Përfaqësues të brezit kufitar me Malin e Zi, bashkë me një grup banorësh, kanë qëndruar në Prishtinë, të mërkurën, për t’u bërë thirrje deputetëve që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.
Ata kanë paralajmëruar tensionim të situatës nëse deputetët ngrenë dorën për një marrëveshje, e cila, sipas tyre, Kosovës ia humb rreth 80 hektarë tokë. Ky qëndrim i përfaqësuesve nga Komuna e Pejës, e Deçanit, e Istogut vjen një ditë pas publikimit të raportit të Komisionit për matjen e territorit, i cili është në një vijë me Marrëveshjen e Qeverisë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Në raport “konfirmohet” se Kosova nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, edhe pse Çakorri dhe Bjelluha mbesin andej kufirit. Por të kundërtën e thonë banorët. Ata kanë refuzuar të hyjnë në Qeveri, edhe pse Komisioni ka hapur dyert për të gjithë ata që duan t’i deponojnë argumentet e tyre, nga 22 deri më 24, para se të publikohet raporti final.