Kompanitë në vitin 2018 kanë dorëzuar 695 ankesa deri tek Komisioni Shtetëror për ankesa ndaj furnizimeve publike që paraqet një rritje për 37 për qind në raport me vitin 2017. Raporti i 31-të me radhë i Qendrës për Komunikime Qytetare thekson edhe telashet dhe problemet për të cilat ankohen firmat në anketën e realizuar me ta
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 maj – Realizim i shpeshtë i tenderëve të mëdhenj që nuk ndahen në pjesë, me çka pamundësohet konkurrenca midis bizneseve, apo shfrytëzimi efikas dhe racional i të hollave publike. Konkurrencë e përkeqësuar e furnizimeve publike në gjysmën e dytë të vitit 2018, në raport me gjysmën e parë, ku bile në 32 për qind e tenderëve të monitoruar është fituar vetëm një ofertë. Në rritje është edhe zbatimi i procedurës jotransparente të negocimit pa publikimin e shpalljes, ku në vitin 2018 janë kontraktuar 596 marrëveshje pa shpallje në vlerë prej 33 milionë euro, apo 4 milionë euro më shumë se në vitin 2017, shkruan gazeta KOHA.
Këto janë vërejtjet kryesore të monitorimit të furnizimeve publike në shtet në periudhën korrik-dhjetor të viti 2018 të realizuar nga Qendra për Komunikime Qytetare. Njëherazi, ka vazhduar edhe trendi i anulimit të tenderëve. Në vitin 2018 janë anuluar tërësisht apo pjesërisht 27 për qind e të gjithë procedurave për furnizime publike, që paraqet një rritje prej 3 për qind në raport me vitin paraprak. Realizimi i furnizimeve publike nga ana e komunave po përsërit të njëjtat probleme për vite me radhë siç janë konkurrenca e ulët, mjaft tenderë me vetëm një ofertues, përqindje e lartë e tenderëve të anuluar, si dhe praktika të vjetra dhe të këqija. Kompanitë në vitin 2018 kanë dorëzuar 695 ankesa deri tek Komisioni Shtetëror për ankesa ndaj furnizimeve publike që paraqet një rritje për 37 për qind në raport me vitin 2017. Raporti i 31-të me radhë i Qendrës për Komunikime Qytetare thekson edhe telashet dhe problemet për të cilat ankohen firmat në anketën e realizuar me ta.
“Nota mesatare me te cilën firmat vlerësojnë procesin e furnizimeve publike në shtet është 2.87, që paraqet një rritje shumë të vogël në raport me notën e vitit 2017, kur ajo ishte 2.85. Problemi më i shpeshtë me të cilin ballafaqohen firmat në furnizimet publike edhe më tej mbetet ‘çmimi më i ulët’, si kriter i vetëm”, sqaron më tej analiza. Gjithashtu, theksohet se vonesat në pagesat janë zbutur, apo kanë rënë nga vendi i dytë si problem madhor në vitin e kaluar, në vendin e tetë këtë vit, edhe pse akoma pritet në mesatare nga 6 muaj e 12 ditë për pagesën e borxheve për furnizimet e përfunduara.
Në ndërkohë, pritet që Ligji i ri për furnizime publike i miratuar në fund të muajit janar të këtij viti që hyri në fuqi prej një prilli 2019, do të rrisë konkurrencën, do të përmirësojë efikasitetin e furnizimeve publike dhe llogaridhënien e harxhimit të parave të popullit.
Oferta më e volitshme ekonomike do të jetë kriteri kryesor gjatë përzgjedhjes së ofertave në prokurorimet apo tenderat publik, që duhet të mundësojë edhe pjesëmarrjen më të madhe të kompanive të vogla dhe të mesme në furnizimet publike. Me Ligjin e ri parashikohen ndryshime të shumta për të tejkaluar dobësitë e konstatuara në sistemin për furnizime publike. Gjithashtu ndryshimet ligjore janë pjesë e rritjes së transparencës së harxhimit të të hollave publike dhe llogaridhënies më të madhe ndaj tatimpaguesve për të hollat që mbushin arkën e shtetit. Ndryshimet e reja ligjore pritet të zvogëlojnë në minimum jologjikshmëritë e ndryshme të në një ekonomie tregu që vite me radhë konstatohen në analizat e ndryshme , që vetëm e rrisin rrezikun nga manipulimet e mundshme në realizimin e tenderëve.
Nga komuniteti i biznesit janë të kënaqur që janë pranuar një pjesë e kërkesave e tyre që të mos jenë të obligueshme ankandet elektronike si dhe faktin që jo vetëm çmimi, por edhe cilësia të janë përcaktuese gjatë përzgjedhjes së shërbimeve dhe prodhimeve të ndryshme .Megjithatë të gjitha odat ekonomike në vend kanë kërkuar saktësimin më të madh të më shumë dispozitave ligjore të Ligjit të ri për furnizime publike. “Realizimi i furnizimeve publike në më shumë sektorë në ekonomi udhëzon në faktin se ekzistojnë më shumë specifika apo veçori të furnizimeve publike që realizohen në sektorë të ndryshëm. Që të realizohet furnizimi publik në bazë të ofertës më të volitshme ekonomike nevojitet të përcaktohen kriteret në bazë të çilave do të formohet oferta në sektorë të ndryshëm. Në këtë mënyrë do të sigurohet implementimi cilësor i dispozitave ligjore. Për më tepër do të realizohet furnizimi real publik që u konvenon të dy palëve në proces dhe do të sigurohet cilësi”, theksohet ndër të tjerash në propozimet e odave kryesore në Maqedoni. Ato propozojnë që të miratohen akte nënligjore, apo udhëzime që kanë praktikë të mirë të zbatimit të obligueshëm, që do të përcaktojnë kriteret për zgjidhjen e ofertës të lidhur me sektorin konkret në bazë të specifikave e të njëjtit. (koha.mk)