Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor – Në Maqedoni realizohen tenderë edhe me çmime absurde prej 0.01 denarë. Sipas raportit të fundit të Qendrës për Komunikime Qytetare, që ka ndjekur furnizimet publike për periudhën janar-qershor 2017, çmimi më i ulët si kriter i vetëm për zgjidhje, na shpien ndaj tenderëve me çmime absurde prej 0.01 denarë dhe 0.01 për qind, shkruan gazeta KOHA. Jologjikshmëritë e tilla të tregut vetëm e rrisin rrezikun nga manipulimet e mundshme në realizimin e tenderit shton më tej raporti.
“Në tenderët që ishin lëndë e monitorimit në gjysmën e parë të 2017-ës, marrëveshjet e shërbimeve për 0.01 denarë, ishin nënshkruar për furnizimin me shërbimin e operatorit celular, dhe për shërbimin e agjencisë së marketingut për përkrahje të marketingut, ndërsa çmimi prej 0.01 për qind i shërbimit ishte për angazhimin e agjencisë autoriale, përmes së cilës do të realizohet pagesa e kompensimeve të autorit. Njëherazi, në furnizimin e shërbimit të operatorit celular, çmimi prej 0.01 denarë nga operatori celular, është fituar për një minutë bisedë ndaj rrjetit vetanak, ndaj rrjeteve të tjera celulare dhe fikse pas tejkalimit të minutave falas të përfshira në pakot e parashikuara “, shton më tej raporti.
Analiza e Qendrës për Komunikime Qytetare që në vitet e kaluara në vazhdimësi nxjerr në shesh, anomalitë, dobësitë dhe problemet e ndryshme të tenderëve në Maqedoni, thekson më tej se kompanitë që kanë konkurruar në këtë tender, vetëm kanë ndjekur rregullat e lojës.
“ Oferta është e dorëzuar nga dy operatorë celularë pas dorëzimit fillestar të ofertave. Njëherazi, të dy ofertuesit kanë dhënë çmimin më të ulët të mundshëm, duke pasur parasysh se në dokumentacionin e tenderit për furnizim është theksuar se “ Çmimi i ofruar, që do të jetë lëndë e ankandit elektronik, nuk guxon të ketë më shumë se dy decimale, ndërsa çmimi më i ulët i mundshëm në listë pa TVSH është 0.01 denarë. Çdo ofertë që nuk do t’i përmbushë këto kushte, do të hidhet poshtë si e papranueshme “, thekson më tej raporti.
Nga ana tjetër, analizë e Qendrës për Komunikime Qytetare, e një pjesë të tenderëve e tregon se gjatë ankandit elektronik arrihen çmime aq të ulëta, saqë vendoset në pikëpyetje realiteti i vlerësimit të vlerës së tenderëve si dhe cilësia e furnizimeve. Andaj, në të ardhmen sugjerohet anulimi i zgjidhjes së tanishme ligjore, sipas së cilës i vetmi kriter për ndarjen e marrëveshjes është “ çmimi më i lirë”. Zgjidhja e re ligjore duhet të bazohet në konceptin e “ Ofertës më të volitshme ekonomike”, që bazohet në Direktivën e re evropiane të vitit 2014.
Në ndërkohë, ndër vërejtjet tjera të monitorimit të furnizimeve publike, janë edhe ato se bile në 35 për qind të tenderëve të monitoruar, ekziston hedhje poshtë e ofertave, për shkak se janë cilësuar si të papranueshme. Një përqindje kaq e lartë e tenderëve të dështuar në mënyrë shtesë e përkeqëson konkurrencën e tyre, thekson raporti.
Në gjysmën e parë në vitit 2017, deri tek Këshilli për furnizime publike janë dorëzuar 7.583 kërkesa nga palët kontraktuese, ose vetëm 9 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, në gjashtë muajt e parë të vitit, përmes procedurës jo-transparente të negocimit dhe pa publikimin e shpalljes, janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 7.4 milionë euro, që është për 12 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rritje e sipër, është edhe anulimi i tenderëve. Në periudhën janar- qershor të këtij viti janë anuluar 2033 tenderë në mënyrë të tërësishme apo të pjesshme, që paraqet një pjesëmarrje prej 23 për qind në totalin e shpalljeve të publikuara në këtë periudhë.
Ndryshe, në fillim të muajit të kaluar, Kuvendi i Maqedonisë, i miratoi ndryshimet e Ligjit për furnizime publike, me të cilat më nuk do të ekzistojë Këshilli për furnizime publike. Në vend se të kontribuojë për rritjen e transparencës në procedurat e furnizimeve publike, ky organ sipas qeverisë, ka ndikuar negativisht në efikasitetit e sistemit dhe atë më së shpeshti përmes bllokimit të institucioneve, prolongimit të procedurave dhe rritjes së harxhimeve. Opozita vlerësoi se nuk duhet nxituar me një lëvizje të tillë, për shkak se Ligji i ri për furnizime publike paralajmërohet për në tetor të vitit të ardhshëm, andaj për opozitën mbetet çështje e hapur se kush do të kontrollojë në ndërkohë procedurat e furnizimeve publike. (koha.mk)